E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet vendore

Ka nisur zyrtarisht proçesi i votimit ku 3166279 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do t`i drejtohen 4882 qendrave të votimit në të gjithë vendin për të zgjedhur drejtuesit e tyre vendorë.
 

Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00 ku mbi 150 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë.

Ndërkohë sipas gazetarëve të “Ora News” është vonuar nisja e procesit të votimit në qendrën e votimit numër 3270 pranë pallati “Margarita Tutulani” në Berat pasi kanë munguar komisionerët.

Gjithashtu edhe në 3 fshatra të Peqinit nuk ka nisur procesi I votomit pasi ka pasur probleme. Sipas gazetarit të “Ora News” në Peqin mësohet se probleme ka pasur në fshatin Kodras në qendrën nr 22 86 mungon lista e zgjedhësve, ndërsa në dy fshatra të tjerë mungon boja dhe dhe procesverbali për të shënuar kodet.

Probleme ka pasur gjithashtu edhe në qytetin e Fushë Krujës ku në qendrën e numërit 1292 mungojnë 300 fletë votimi për kandidatët e bashkisë së këtij qyteti. Sipas gazetarit të “Ora News” nuk ka nisur ende procesi i votimit në këtë qëndër votimi ndërsa jashtë kësaj qëndre janë krijuar radhë të gjata të qytetarëve të cilët kanë ardhur të votojnë.

Për të votuar, duhet të jenë të pajisur me një dokument identifikimi, kartë identiteti dhe pasaportë (edhe jo biometrike, nëse nuk i ka mbaruar afati).

Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 56 subjekte zgjedhorë, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë, "Aleanca për Qytetarin", i cili përfshin 22 parti dhe një koalicion i spektrit të majtë "Aleanca për të Ardhmen", që grupon 23 parti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›