E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisën zgjedhjet në Ferizaj

Partia Demokratike e Kosovës(PDK), dega në Ferizaj të dielën ka mbajtur Kuvendin e Katërt Zgjedhor, nga i cili ka dalë Këshilli Drejtues i degës prej 55 anëtarëve dhe 18 delegatë për Kongresin e Partisë. Zgjedhja e Këshillit drejtues i ka hapur udhë zgjedhjes së kryesisë së re dhe kryetarit të degës.

Punimet e këtij kuvendi i ka përshëndetur anëtari i kryesisë, Xhavit Haliti, i cili ka inkurajuar delegatët që të zgjedhin më të mirët dhe të punojnë në rrafshin e fuqizimit të mëtejmë të PDK-së.

"Ne si parti dhe ju si degë do të kemi forcë e gatishmëri që në përputhje me situatat e reja, vizionin tonë evropian, të agazhohemi për kuadro të dëshmuara dhe procesi zgjedhor të përmbyllet me sukses", ka thënë Haliti, duke riporositur që të zgjidhen më të mirët, në të mirë të degës dhe partisë në përgjithësi.

Kuvendin zgjedhor të degës së PDK-së e kanë përshëndetur edhe kryetarët e partive tjera lokale, Ramadan Hasani nga AKR-ja, Naim Ferati nga AAK-ja dhe Bujar Ademi nga PD-ja.

Ndërkaq raportin e punës e ka prezantuar kryetari aktual i degës, Ylber Topalli. Ndër tjera, ai ka thënë se kanë qenë vizioni demokratik e shtetndërtues dhe puna voluminoze që ka zhvilluar PDK-ja, ajo që e nga ngritur në parti numër një në Ferizaj, duke dalë fituese në disa palë zgjedhjesh lokale të mbajtura së fundi.

"Në këtë moment reflektimesh të reja, nëpërmjet zgjedhjeve për organet e reja të degës, falënderimi shkon për gjithë anëtarët e KD-së, kryesitë e nëndegëve dhe gjithë aktivistët e partisë, për punën që kanë bërë bërë në drejtim të rritës, konsolidimit e përurimit të vlerave kombëtare, profesionale e intelektuale të PDK-së" ka thënë Topalli.

Pas konstituimit të KD-së, pritet të zgjidhet kryesia e degës së PDK-së dhe kryetari i degës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›