UP-ja nuk e paguan gjobën, paditë paditësin

Universiteti i Prishtinës nuk e ka ndërmend ti bindet Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Ky institucion I lartë arsimor nuk e ka paguar gjobën ne vlerë prej 10 mijë eurove, që para një jave ia ka shqiptuar OSHP.
Edhe pse vendimi i OSHP-së për shqiptimin e gjobës ka qenë i prerë, që parat të paguhen menjëherë, ato nuk janë paguar.
Sejdi Rexhepi, prorektor për financa në UP, ka thënë për Indeksonline, se parat nuk janë paguar, pasi që UP ka parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, lidhur më vendimin e OSHP-së.
“Universiteti nuk e ka paguar dënimin, duke qenë se do të ushtroj ankesë. Vendimi është jo i bazuar dhe nuk ka marrë parasysh faktet se UP-ja nuk ka pasur mjete të mjaftueshme për vazhdimin e atij procesi të prokurimit. Pastaj në ndërkohë të gjithë ofertuesve ju ka kaluar vlefshmëria e tenderit, sikurse që edhe faktin më kryesor se Njësia e kërkesës (Fakulteti i Kulturës Fizike) ka heqë dorë nga ai prokurim si rezultat i ndërrimeve në planifikimin afatgjatë, si dhe nuk ka marr parasysh Vendimin e Rektorit të UP-së për të anuluar atë proces të prokurimit”, ka thënë Rexhepi.
Në anën tjetër Sabrije Bullatovci, Zyrtare e lartë ligjore e OSHP-së, tha se çdo palë e pa kënaqur me një vendim të këtij institucioni ka të drejtë të parashtroj padi në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 30 ditësh pas marrjes së vendimit. Mirëpo, sipas saj, UP-ja është i obliguar të depozitoj sigurim për përmbarimin e urdhrit , në mënyrë të njëjt sikur sigurim i tenderit ose sigurimi i përmbarimit.
Universiteti i Prishtinës ishte ndëshkuar për shkak se nuk e kishte përfillur OSHP-në dhe ka nënshkruar kontratë më kompaninë, "Euro Services" nga Prishtina, për ndërtimin e palestrës sportive të Fakultetit të Shkencave Sportive.
UP-ja e pati nxjerr fituese këtë kompani, por më pas nuk ka nëshkrur kontratë me arsyetim se nuk ka mjete për zotim shtese për ketë aktivitet te prokurimit. /Indeksonline /