Niset drejt Brukselit Pyetësori i Komisionit Evropian; Berisha: Ai paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare në Shqipëri

Kryeministri Berisha prezanton në mbledhjen e Qeverisë draftin e përfunduar të përgjigjeve të pyetësorit, i cili do t’i dorëzohet nesër autoriteteve të BE
Kryeministri Sali Berisha prezantoi sot, para anëtarëve të qeverisë dhe mediave, materialin përfundimtar të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili nesër do t’i dorëzohet KE-së. Kreu i qeverisë Berisha se përgjigjet e paraqitura në 3854 faqe, që u korrespondojnë 2284 pyetjeve, përshkruajnë të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian dhe paraqesin thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë. Kryeministri e konsideroi paraqitjen e përgjigjeve të pyetësorit një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian. “Kemi sjellë këtu, sot, përgjigjet për pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë, përgjigje të cilat janë paraqitur në 3854 faqe dhe u korrespondojnë 2284 pyetjeve. Siç e shihni, ky është vëllimi më i madh që kam pasur ndonjëherë në dorë, të cilin mendova t’ju paraqes juve, zotërinj ministra dhe mediave, para se ta nisim për në Bruksel. Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë. Në përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, natyrisht, janë paraqitur të gjitha arritjet e Shqipërisë, rezultatet e reformave të 20 viteve të marra së bashku. Paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian”, u shpreh kryeministri. Duke shfrytëzuar këtë moment të rëndësishëm për vendin, Kryeministri Berisha ftoi opozitën për dhënë kontributit e vet në procesin e integrimit të vendit. “Në këtë proces, hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të mazhorancës qeverisëse, të opozitës, të shoqërisë civile, të biznesit, të botës akademike, të rinisë, grave, pra, çdo faktor, çdo element i shoqërisë shqiptare, që ka bindjen e thellë se për shqiptarët, ky është projekti kryesor, duhet të angazhohet me të gjithë potencialin e tij, për të kontribuar”, deklaroi Berisha. Më pas, shefi i qeverisë, njoftoi nisjen e menjëhershme të përgjigjeve të pyetësorit, së bashku me kopjen elektronike të tyre, për në Bruksel. “Meqenëse korrieri, që do ta nisë materialin për në Rinas, ka përcaktuar një kohë të caktuar, ne po e nisim që tani drejt aeroportit. Bashkë me këtë material do të dorëzohet edhe kopja elektronike e përgjigjeve, me besimin më të madh se do të marrin vlerësim objektiv dhe të merituar nga ata që do ta shqyrtojnë”, tha Berisha. Ditën e nesërme kryeministri Berisha do të udhëtojë drejt Brukselit, për të prezantuar para autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian, Pyetësorin, mbi përmbushjen e kritereve për integrimin e Shqipërisë. Shefi i qeverisë pritet të takohet fillimisht me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, për të vijuar më pas me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, me Presidentin e Komisionit Jose Manuel Barroso dhe me Presidentin e Parlamentit Europian Jerzy Buzek. Gjithashtu, kryeministri Berisha do të marrë pjesë edhe në konferencën e organizuar nga Fondacioni Robert Schumann.
...