E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Angazhim maksimal për reformën në drejtësi

“Rruga jonë për intregimin e vendit drejt Bashkimit Europian nuk është e lehtë,  por ne do marrim përgjegjësitë tona  dhe objektivat ambicioze që kemi përpara do t’i realizojmë dhe në sajë të partnershipit me Komisionin Europian”, u shpreh Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë një takimi me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel dhe ambasadorin e  KE,  Helmut Lohan.

Gjatë fjalës së tij, ministri Nishani vlerësoi mbështetjen që Bashkimi Europian i ka dhënë vendit si në asistencën ligjore ashtu edhe në investimet e realizuara për ngritjen e infrastrukturës moderne në sistemin e gjykatave dhe në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Ministri Nishani informoi bashkëbiseduesit mbi iniciativat e ndërmarra për reformën në drejtësi, duke theksuar se “kemi filluar punën për ristrukturimin e grupit të punës me qëllim draftimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi, e cila mendohet të kalojë në një proces të gjerë konsultimi për identifikimin e nevojave dhe prioriteteve, ku  do të marrin pjesë me qëllim ofrimin e asistencës edhe misionet e huaja që ndihmojnë Ministrinë e Drejtësisë si, EURALIUS". 

Nishani informoi edhe mbi nismat ligjore, duke veçuar legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, shërbimin përmbarimor privat dhe për shërbimin e provës, projektligjin  “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, si dhe atë për "Marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”.

 Gjithashtu, kreu i drejtësisë, deklaroi si prioritet përmirësimin e infrastrukturës në sistemin gjyqësor si dhe reformën për të drejtën e pronës. Ndërsa Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, pasi  uroi ministrin   për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si vend anëtar, deklaroi se marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në ka hyrë në një fazë krejtësisht të re. "Shqipëria ka hyrë në një proces qëllimi i të cilit është anëtarësimi në BE, ndaj edhe reforma në drejtësi është një kriter shumë i rëndësishëm në këtë proces.

Ai vlerësoi hapat e ndërmarra deri tani nga Ministria e Drejtësisë në miratimin e ligjeve si dhe vlerësoi si shumë të rëndësishme hapat e mëtejshëm që do të hidhen në Strategjinë e reformës në Drejtësisë, si dhe shprehu shpresën që opozita të kthehet në parlament për të debatuar dhe miratuar ligje shumë të rëndësishme për vendin.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›