Nishani-Coaker: Policia progres në luftën kundër krimit

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani gjatë një takimi me ministrin e Britanisë për Policinë, Krimin dhe Sigurinë Vernon Coaker, është shprehur se duke qenë se Shqipëria është në prag të anëtarsimit të plotë në NATO, kemi përgjegjësi dhe objektiva të reja, ndaj jemi fokusuar mjaft në përmirësimin e legjislacionit, rritjen e profesionalizmit të strukturave policore dhe trajnimin e vazhdueshëm policor. Nishani gjatë takimit me Coaker i ka treguar atij rezultatet që ka arritur policia shqiptarë gjatë këtyre tre viteve, që sipas tij, treguesi mjaft i qartë i kësaj pune është goditja e rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe vënien para drejtësisë të afro 1000 anëtarëve të këtyre grupeve."Gjatë kësaj kohe falë bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet perëndimore, me Europol-in dhe Interpol-in, janë ekstraduar dhe vënë para drejtësisë rreth 250 persona, të cilët akuzohen për krime të ndryshme", u shpreh Nishani. Gjatë takimit ministri britanik,Vernon Coaker shprehu kënaqësinë për progresin dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër veprimtarive kriminale, e po ashtu për bashkëpunimin e deritashëm mes strukturave policore shqiptare dhe britanike. Ai është shprehur se dëshiron të thellojë më shumë marrdhëniet, dhë të ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër veprimtarive kriminale dhe trafiqeve të paligjshme. Sipas Nishanit arritjet e deri tanishme janë bërë falë rritjes profesionale të policisë së shtetit dhe luftës me tolerancë zero kundër të gjitha veprimtarive kriminale.Sipas ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani gjatë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë humbje jete në radhët e policisë, përkundrejt 180 punonjësve të policisë që kanë humbur jetën gjatë viteve 1997-2005. "Rezultate pozitive që janë arritur deri tani janë falë edhe asistences që na ka ofruar misioni PAMECA 3", tha Nishani në fund të takimit.