Nishani Do te respektoj Kushtetuten Institucionet te mos stepen nga nderrimi i qeverise
Presidenti i Republikes, Bujar Nishani deklaroi dje në mbrëmje në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu se do të dekretojë brenda të gjitha afateve kushtuetuese qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit.
Ai tha se administrada nuk duhet të ndihet e kërcënuar nga tranzitimi i pushtetit dhe se presidenti do të jetë garant i integritetit të institucioneve dhe imazhit pozitiv të Shqipërisë.
Kreu i shtetit u shpreh se do të jetë i hapur për bashkëpunimin me mazhorancën e re për të çuar përpara reformat që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në Bashkimin Europian, duke shtuar se oponenca dhe konsensusi i opozitës do t'i shërbente këtij qëllimi.
Referuar çështjes së kalimit të Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe kthimin e saj në seli të Partisë Demokratike, Presidenti Nishani tha se ka kryer një akt të mbështetur në të drejtën e tij kushtetuese dhe se do të vepronte me të njëjtin standard edhe nëse këto ambjente do t'i kalonin Partisë Socialiste.
Kreu i shtetit i quajti insinuata të padenja dhe intriga kafenesh akuzat për implikimin e familjes së bashkëshortes së tij në pronësinë e selisë së Partisë Demokratike, duke theksuar se jo pak herë presidenti ka qene target i luftës politike mes paleve.
Presidenti Nishani foli edhe per marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato janë të një partneriteti strategjik.
Ai u shpreh optimist se Shqipëria i ka të gjitha shanset që në dhjetor të marrë statusin e vendit kandidat.
Duke iu referuar situatës në Siri kreu i shtetit tha se Shqipëria është e gatshme për përmbushjen e misioneve qe i shpërbejne paqes dhe respektimit te te drejtave te njeriut kudo në botë.