E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: E mirëkuptoj qëndrimin politik të opozitës

Bujar Nishani

Presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani, shprehet se mirëkupton qëndrimin politik të opozitës për zgjedhje të njëanshme të kreut të ri të shteti dhe nga ana tjetër vlerëson qëndrimin institucional të PS-së.

Qëndrimi politik është i kuptueshëm për një forcë politike, qëndrimi institucional, i përcjellë përmes deklaratës që procesi ka qenë kushtetues, është shumë inkurajues për punën time. Por, besoj që për të gjithë qytetarët shqiptarë, unë nuk paragjykoj dhe nuk keqkuptoj asnjë qëndrim politik, ashtu siç vlerësoj të gjitha qëndrimet e kornizës institucionale që adresohen ndaj opinionit publik, shprehet Nishani.

Duke folur në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Nishani thekson se beson në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte institucionale dhe bashkërenduese, midis institucionit të presidentit të Republikës me opozitën, me mazhorancën, dhe me institucionet tjera të pavarura dhe kushtetuese të vendit.

Presidenti i sapozgjedhur zotohet se do të jetë tërësisht jashtë palëve politike, tërësisht jashtë ndikimit mbi partitë politike, tërësisht i paangazhuar për tu përdorur kundër një force apo një tjetre. Për këtë ai tha se do të dalë edhe kundër mazhorancës.

Pa dyshim, kjo nuk do të jetë aspak e vështirë, për sa kohë tërë përkushtimi im është përkushtim ndaj asaj çka vullneti i qytetarëve shqiptarë është materializuar në aktin më të rëndësishëm të shtetit shqiptar në Kushtetutën e vendit, tha Nishani për REL. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›