Shkodër, 5 nxënës të ngujuar marrin pjesë në provim

Nxënsit në Shkodër duke dhënë provim
Pesë nxënës të ngujuar për shkak të problemeve me gjakmarrjen nuk janë përjashtuar nga provimi i lirimit për klasat e nënta.
Mësohet se, sot 3300 nxënës shkodranë i janë nënshtruar provimit të lirimit për klasat e nënta. Në Shkodër, pavarësisht nga përhapja e gjerë gjeografike shkollave të arsimit të detyruar 9- vjeçar, në 37 ambientet e provimit, gjithçka ka ecur normalisht.
Këtë vit ,klasën e 9-të e kanë përfunduar dhe 5 fëmijë të përfshirë në projektin e Ministrisë së Arsimit Shansi i Dytë, i cili mundëson mësim në kushte të shtëpisë për fëmijë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes.
Të pestë nxënësit e ngujuar, një në qytet dhe katër në fshat, në bashkëpunim me policinë e shtetit ,për arsye sigurie, gjithçka ka shkuar normalisht dhe këta nxënës kanë marrë pjesë në provimin e lirimit si gjithë nxënësit e tjerë.
Këta nxënës kanë zhvilluar mësim të reduktuar në 25 javë mësimore në kushtet e shtëpisë në ato që quhen vatra dhe grupojnë disa fëmijë, kryesisht të së njëjtës familje apo fis që ka probleme gjakmarrjeje dhe për shkak të ngujimit nuk e frekuentojnë dot shkollën rregullisht .Atyre u kanë bërë mësim mësues që kanë shkuar në këto vatra. Këtë vit mësimor numri i të trajtuarve nga projekti Shansi i Dytë,në Shkodër, ka qenë 26, më i ulët se vitet e tjera. /ANILA DUSHI/