E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNODC: Shqipëria porta kryesore e heroinës që hyn në Europë

Trafiku i droges nga Shqipëria drejt Europes

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet (UNODC) në faqen e saj zyrtare ka shkruar se, Shqipëria shërben si një nga portat kryesore të heroinës që hyn në Europë dhe është një vend transit për shpërndarjen e heroinës afgane drejt Europës perëndimore.

Të dhënat e UNODC tregojnë se vetëm në vitin 2009 rreth 60 ton heroinë me një vlerë tregu prej 13 miliardë dollarësh, u shpërnda përmes Europës juglindore drejt perëndimit.

Para dy ditësh vendin tonë e ka vizituar kreu i UNDOC, Yury Fedotov, ku u takua me kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm ,Haxhinasto dhe atë të Brendshëm, Nishani.

Fedotov gjatë vizitës në Tiranë ka shprehur shqetësimin, se vendi ynë luan një rol të rëndësishëm në trafikimin e lëndëve narkotike nga Europa juglindore drejt asaj perëndimore.

Por ajo që vihet re është se institucionet shqiptarë nuk e kanë bërë të dituar të dhënat dhe shqetësimet që Fedotov ka shprehur rreth trafikut të drogës. /E.Lata/

Ne kërkojmë bashkëpunim të ngushtë me vendet e zinxhirit të heroinës. Duhet të vështirësojmë arteriet e trafikut ilegal të drogës prej të cilit grupet e organizuara kriminale në Ballkan përfitojnë rreth 2 miliardë dollarë në vit, ka thënë Fedotov në Tiranë.

Fedotov njoftoi se UNODC do të vendosë qendra operacionale për Programin e Kontrollit të Kontejnerëve në portin e Durrësit në Shqipëri dhe atë të Bar-it në Mal të Zi, për të përforcuar kontrollet në këto mjete transporti që mendohet se përdoren për të shpërndarë drogën nga Afganistani si dhe materiale të tjera të paligjshme.

Gjatë vizitës në Tiranë, Fedotov është njohur me përpjekjet që Shqipëria ka bërë deri tani për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe krimin e organizuar, thuhet në njoftimin e UNODC.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›