Nishani-Frattini:Rruga e vetme e Shqipërisë, integrimi në BE

Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani është takuar sot ish Ministrin e Jashtëm të Italisë Franco Frattini i cili u nderua ditën e djeshme me titullin "Qytetar Nderi" i Tiranës. Duke vlerësuar kontributin e Frattinit si një pikë referimi në historinë e përpjekjeve të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, Presidenti Nishani theksoi se pikërisht falë dashamirësisë, partneritetit, asistencës së vendeve mike dhe aleate të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku Italia zë një vend kryesor, u bë e mundur që Shqipëria të anëtarësohet në NATO dhe shqiptarët të lëvizin të lirë në zonën Shengen.
“Jam i nderuar që pres në takim një mik të veçantë nga një vend mik. Kontributi juaj personal ka qenë një ndihmë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët në kuadër të proceseve integruese në Bashkimin Europian. Jam dëshmitar i angazhimit tuaj të veçantë në këtë drejtim si Zv. President i Komisionit Europian dhe Komisioner për Çështjet e Sigurisë,-u shpreh Z. Nishani.
Presidenti Nishani nënvizoi se rruga e vetme e Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Europian. “Objektivi ynë i afërt është marrja e statusit të vendit kandidat. Nuk e synojmë si medalje, jo si dhuratë, por si një mundësi për arritjen e standarteve të Bashkimit Europian të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit. Statusi kandidat do të sjellë një përshpejtim të proceseve integruese të Shqipërisë dhe unë shpresoj shumë për arritjen e këtij objektivi edhe në fuqinë e zërit tuaj tashëm si koordinator i grupit parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Europian”,u shpreh Nishani.
Nga ana e tij, Franco Frattini, theksoi nevojën e kryerjes sa më shpejtë të reformës zgjedhore e asaj parlamentare, si dhe heqjen apo kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, në mënyrë që në vjeshtë Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Unë do të jap kontributin tim në cilësinë e koordinatorit të Partive Popullore Europiane për një vendim pozitiv për statusin kandidat të Shqipërisë. Ky është angazhimi im dhe ju garantoj se është dhe angazhim i qeverisë italiane dhe i Presidentit Napolitano që do të vizitojë së shpejti Shqipërinë” u shpreh Frattini.
Gjatë takimit Nishani dhe Frattini diskutuan gjerësisht edhe për rolin e Shqipërisë për forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, për nxitjen e investimeve italiane në Shqipëri, si dhepër përvojën e vyer të trupave shqiptare që ndodhen nën komandën italiane në kuadër të misionit të NATO-s në Afganistan.