Trojka e ambasadorëve: Politika të kalojë nga fjalët në vepra
Klasa politike shqiptare duhet të kalojë nga fjalët në vepra për kryerjen në kohë të reformave të nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian siç janë reforma zgjedhore, gjyqësore dhe ajo parlamentare si dhe heqja e imuniteteve.
Kështu është shprehur trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Ettore Sequi dhe Eugen Wollfarth gjatë një takimi me presidentin në detyrë Bamir Topi duke nënëvizuar domosdoshmërinë e gjetjes së vullnetit të duhur dhe dialogut kontruktiv nga klasa politike shqiptare.
Nga ana e tij, presidenti Topi duke ndarë të njëjtat pikëpamje me tre Ambasadorët, theksoi se realizimi me sukses i këtyre reformave “do të ishte jetik dhe tepër i rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve, për ndarjen dhe ekuilibrimin e pushteteve, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si dhe për vetë të ardhmen integruese të Shqipërisë.”
Gjithashtu, Ambasadorët Aleksander Arvizu, Etore Sekui dhe Eugen Volfart vlerësuan rolin moderator, pozitiv dhe konstruktiv të Presidentit Topi si respektues i Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe si simbol i unitetit të popullit duke shprehur mirënjohen edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer e të frytshëm që kanë gëzuar me Kreun e Shtetit shqiptar gjatë mandatit të tij presidencial.
Ky takim vjen vetëm disa ditë para largimit të Bamir Topit nga posti i presidentit të vendit për t`ia lënë atë presidentit të ri Bujar Nishanit.