“Reforma Zgjedhore, komisioni parlamentar bie dakord për ndryshimin e skemës së financimit të partive”

KQZ ndan fondin, Partia Demokratike merr 79 milion, PS merr 75
Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka rënë dakord për të ndryshuar skemën e financimit të partive politike nga buxheti i shtetit. Këto ndryshime që pritet të votohen në mbledhjen e sotme në prani të ekspertëve të ODIHR-it, përcaktojnë se financimi do të bazohet jo më sipas mandateve në Kuvend, por sipas numrit të përgjithshëm të votave që subjektet politike do të marrin në rang kombëtar në zgjedhjet e radhës.
Shuma përcaktohet 5 ditë pas shpalljes së rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe pritet të favorizojë partitë e vogla, të cilat deri më tani kanë pretenduar se kanë fituar një mandate me më shumë vota sesa 2 partitë kryesore. Çdo votë do të shumëzohet me një koeficient të caktuar nga Kuvendi, për të dhënë më pas vlerën totale të parave që do të marrë çdo subjekt. Por, jo çdo parti do të përfitojë. Të vegjlit do të duhet të arrijnë një prag minimal në rang vendi, ndonëse ky prag mund të mos ju sigurojë përfaqësim në parlament.
“KQZ brenda 5 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar proporcional në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme. Duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se 0.5 për qind të votave në shkallë vendi”, thuhet në draft.
Në rast se shuma e përfituar paradhënie për financimin e fushatës është me e madhe sesa ajo e llogaritur në bazë vote, partitë duhet të kthejnë lekët mbrapsht. Në rast se refuzojnë, humbasin të drejtën për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit për 5 vjet, si dhe nuk mund të regjistrohet në zgjedhjen e ardhshme. Tjetër risi në kodin e ri zgjedhor do të jetë ndalimi dhe penalizimi i punonjësve të administratës dhe nxënësve të shkollave në fushatë, gjatë orarit të punës ose mësimit. Po ashtu nenin 88 të kodit shtohet se “gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi ose lëvizja në detyre, në institucionet publike”.
Në këtë kapitull të kodit është parashikuar dhe rritja e dënimit për partitë që nuk do të respektojnë kuotën gjinore në listën e kandidatëve me rreth 70 për qind.