E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: Asamble e drejtuesve të njësive vendore shqiptare, në 100 vjetorin e Pavarësisë

27-01-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti dje në një takim kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Sadi Bexheti. Në këtë takim Basha ka diskutuar lidhur me idenë e lançuar prej tij me 17 Janar në Shkup për zhvillimin e një Asambleje të të gjithë njësive vendore të udhëhequr nga drejtues shqiptarë kudo që ndodhen, në hapësirat, trojet tona stërgjyshërore apo jashtë tyre. Kjo ide e Bashës ka gjetur mbështetjen e kryetarit të Komunës së Tetovës Sadi Bexheti. Basha bëri të ditur se për këtë ide ka gjetur me herët edhe mbështetjen e kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa. Qëllimi i kësaj Asambleje në 100 vjetorin e Pavarësisë, sipas Bashës ka si qëllim që “Ky 100-vjetor të kthehet në një impuls energjie, frymëzimi, për të bashkërenduar punën midis gjithë hapësirave ku jetojnë shqiptarët dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në fusha të tilla, si arti, kultura, sportet, turizmi, konkurset dhe natyrisht lidhje më të forta në botën e biznesit dhe midis qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë”. Në bashkëbisedimin mes zotit Basha dhe Bexheti u nënvizua nevoja e vendosjes së një bashkëpunimi mes dy administratave, bizneseve dhe qytetarëve të Tiranës dhe Tetovës. “Në këtë takim u ra dakord që dy administratat të mbështesin njëri-tjetrin në të gjithë sfidat, nga planifikimi urban tek mirëfunksionimi i ndërmarrjeve të shërbimeve publike etj, por çka është më e rëndësishme midis komunitetit të biznesit dhe qytetarëve të Tiranës dhe Tetovës dhe në këtë drejtim besoj se së shpejti dy njësitë tona vendore do të angazhohen për të organizuar “Ditët e Tetovës” në Tiranë dhe “Ditët e Tiranës” në Tetovë”. Ky propozim i Bashës gjeti mirëkuptimin e kryetarit të Komunës së Tetovës. Ai tha se “ne si komunë, do të mundësojmë, që për çdo problem t’ju ndihmojmë, pra qytetarët që jetojnë në Shqipëri, konkretisht në Bashkinë e Tiranës dhe janë të interesuar të rrinë në Tetovë, le ta llogarisin qytetin e Tetovës, si qytetin e tyre. Ka shumë lehtësime”. Lulzim Basha e ka njohur kryetarin e Komunës së Tetovës me masat e ndërmarra nga administrata e tij për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv për investitorët që nga ulja e taksave dhe tarifave e deri tek krijimi i një sporteli unik për lejet dhe licencat. Po kështu Basha bëri një prezantim edhe të projekteve strategjike si zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, linjat e tramit etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›