Nishani: Lirimi i Haradinajt, fitore kombëtare

Një fitore të rëndësishme të drejtësisë e ka cilësuar Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vendimin e Gjykatës së Hagës për të liruar nga të gjitha akuzat, Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn.
“Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë”, thuhet në një komunikatë për shtyp të Presidencës së Shqipërisë.
Nishani thekson se përpjekjet e pandërprera për të krijuar konfuzion në lidhje me autorësinë e krimit dhe të viktimës për qëllime politike duhet të ketë marrë një mësim, transmeton "Zëri".
“Ne popujt e rajonit duhet të shikojmë nga e ardhmja jonë e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë. Harresa dhe, aq më keq shtrembërimi i të shkuarës mund ta cenojnë të ardhmen tonë, sepse nuk na garantojnë se tragjeditë e së shkuarës nuk do të përsëriten. Drejtësia e paanshme është garancia më e mirë për të ndërtuar themelet e forta të ardhmërisë sonë”, përfundon deklarata e Presidentit Nishani./Indeksonline/