Nishani: Pavarësia e Kosovës realitet i pakthyeshëm

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka deklaruar sot se Kosova ka bërë përparime të mëdha në këto vite të pavarësisë së saj. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, Nishani theksoi se Kosova e lirë dhe e pavarur nuk është vetëm një realitet i pakthyeshëm por një faktor i rëndësishëm i stabilitetetit dhe paqes në rajon.
Gjithashtu Nishani e ka cilësuar heqjen e pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën si një hap mjaft të rëndësishëm të Kosovës për konsolidimin e shtetit. “Heqja e pavarësisë së mbikqyrur është një moment historik që hap një rrugë të re për Kosovën dhe qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit dhe institucionet e saj, për zhvillimin e demokracisë. Shqipëria e sheh kontributin e Kosovës si një kontribut të rëndësishëm dhe të patjetërsueshëm në interes të paqes dhe zhvillimit në rajon” tha Nishani.
I pyetur se cili është qëndrimi i tij për formati e ri të bisedimeve në dialogun politik me Serbisë dhe Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu qëndrimin se komunikimi është i vetmi mjet për të zgjidhur problemet mes 2 shteteve. Nishani theksoi se mbështet këto angazhime të Kosovës.
“Shqipëria ka mbështetur dhe do vijojë të mbështesë angazhimet e Kosovës, të parlamentit e qeverisë në kontaktet dhe bisedimet e komunikimit. Dialogu është mjeti më fikas dhe më evropian i trajtimit sot të të gjitha problemeve që mund të kenë vendet e ndryshme.
E shkuara e Kosovës ka qenë e mbushur me vështirësi dhe sakrifica, por e ardhmja e gjithë Ballkanit është që të gjithë duhet të komunikojnë dhe sepse dialogu është mjeti për të fituar frymën e zhvillimit e pajtimit dhe prosperitetit” tha ai.
Gjithashtu Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ajo e Kosovës, Atifete Jahjaga kanë theksuar angazhimin e plotë për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ata kanë vlerësuar se dy vendet kanë përpara sfida të përbashkëta, duke u ndalur në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane.