Nishani-Petroviç: Bisedimet nën garancinë ndërkombëtare

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani përkrah dialogun që pritet të nisë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por kërkon që ai të zhvillohet nën garancinë e faktorit ndërkombëtar. Pas takimeve me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Slobodan Petroviç dhe me përfaqësues të partive të politike opozitare, lidhur me përfshirjen e mundshme të veriut të Kosovës në bisedime politike, Nishani tha se kjo çështje i përket Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa zëvendëskryeministri kosovar, Sllobodan Petroviç, ka thënë se në takim është diskutuar, veç tjerash, edhe për sfidat, të cilat e presin Kosovën e mbi të gjitha dialogu Prishtinë-Beograd.
Në përfundim të takimit, Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç dhanë deklarata të shkurtra për mediat e shumta të pranishme.
Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi: “Sot pata rastin të takohem me përfaqësues të partive të ndryshme politike në Kosovë. Takime të cilat i shfrytëzova për të vlerësuar të gjitha arritjet në Kosovë gjatë kohëve të fundit. Arritje, të cilat kanë kulmuar me vendimin më të fundit për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Janë kontribute të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Janë kontribute të institucioneve, por janë kontribute edhe të përfaqësuesve të partive politike.
Në takimin me zotin Petroviç gjeta rastin të nënvizoj faktin e një shembulli pozitiv të bashkëpunimit, të bashkëjetesës dhe të kontributeve të njësuara për Kosovën, për të ardhmen e saj si dhe për të ardhmen e çdo qytetari të këtij vendi. Shpreha gjithashtu edhe vlerësimet e mia për kontributin personal të zotit Petroviç, të partisë së tij – një kontribut i cili shkon në interes të Kosovës, të qytetarëve të saj, të atyre të kombësisë serbe, por edhe të çdo qytetari tjetër të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është një e ardhme e shkëlqyer dhe e ardhmja e Kosovës u përket gjithë qytetarëve të saj.”