E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos vendimin për oborret në përdorim


“Me këtë vendim, Qeveria shqiptare i jep fund absurdit që e ka zanafillën në vitet e errëta të diktaturës, ku liritë dhe të drejtat mbi pronën private dhe individuale, mohoheshin krejtësisht, dhe i hapet rruga e pronësisë së plotë mbi pronën e tyre dhjetëra mijëra familjeve shqiptare”, tha zëdhënësja e qeverisë, Erla Mëhilli.

Sipas saj, objekt i këtij vendimi është përcaktimi i procedurës së kalimit në pronësi të sipërfaqeve për të gjithë qytetarët e Republikës Shqipërisë, të cilët kanë të shënuar në dokumentet e pronësisë se tyre cilësimin “oborr në përdorim”. Gjithashtu ky vendim parashikon edhe regjistrimin e këtyre pasurive në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme.

“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe e dokumentacionit nga kërkuesi, jep konfirmimin pranë Zyrave Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme për të kryer regjistrimin e pronës. Për kalimin e pronësisë, qytetarit i duhet thjesht të paraqesë pranë AKKP-së kërkesë-formularin, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës rekomande. Ky vendim është shumë i rëndësishëm për dhjetëra mijëra familje, pasuritë e të cilëve do të zotërohen përfundimisht prej tyre. Në këtë mënyrë qytetarët shqiptarë do të fitojnë të drejtën e mohuar deri më sot për të zhvilluar pronat që i trashëgonin, i takonin ose u përkisnin”, tha Mëhilli. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-08-31 14:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›