E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Afrikën e Jugut, kërkon mbështetje për integrimin

Gjatë qëndrimit atje, lideri i opozitës zhvilloi takime me Kryeministrin belg Elio di Rupo, Kryeministrin rumun Victor Ponda dhe drejtuesit e partisë Socialdemokrate gjermane dhe socialiste franceze.

Temë diskutimesh, ka qenë e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e plotë të vendeve përkatëse për procesin integrues të vendit tonë. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, një takim të veçantë lideri socialist pati edhe me Phil Angelides, Kryetar i Komitetit për hetimin e krizës financiare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, emëruar nga Presidenti Obama me miratimin unanim të Kongresit. Gjatë këtij takimi, biseda mes Ramës dhe Angelides u përqendrua në situatën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë.

Një temë e rëndësishme që u diskutua ishte edhe programi i Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, duke u përqendruar në çështjet më delikate si punësimi dhe taksimi i ndershëm. Zoti Angelides u shpreh jo vetëm në mbështetje të programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, por gjithashtu u angazhua për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të programeve që kanë të bëjnë me taksimin e ndershëm. Në kongresin e Internacionales Socialiste, u rizgjodhën në detyrën e Presidentit të Internacionales zoti Jorgo Papandreu dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm zoti Luis Ajala. Në përfundim të seancës zgjedhore, lideri socialist Rama zhvilloi takime me të dy drejtuesit më të lartë të internacionales, të cilët i përgëzoi për detyrën e re. /Start/

                                                                                             2012-08-31 14:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›