E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Rama po shkel autonominë e minibashkive

Mazhoranca Ministria e Brendshme: Mos plotësoni formularin e bashkisë

Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Bujar Nishani, njëkohësisht ministër i Drejtësisë, akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po shkel autonominë lokale dhe parimet e decentralizimit në funksionimin e minibashkive në kryeqytetit. Nishani tha se Rama po shkel rëndë në mënyrë të përsëritur ligjin për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës, i cili përcakton statusin dhe të drejtat e minibashkive në kryeqytet. "Rama refuzon prej kohësh të zbatojë vendimet e përsëritura të Këshillit Bashkiak të Tiranës për respektimin e të drejtave administrative të minibashkive të kryeqytetit. Dhunimi i parimeve bazë të decentralizimit të pushtetit vendor nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka bllokuar të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale në të gjitha këto minibashki", tha Nishani.

Sipas tij, "refuzimi i vazhdueshëm i Ramës për të respektuar ligjin, është një rast i qartë i standardeve të dyfishta të sjelljes së tij politike". "Rama duhet t'u tregojë qytetarëve të Tiranës se është për respektimin e ligjit, për autonominë vendore dhe për decentralizimin, duke lejuar përdorimin e kompetencave që ligji u jep minibashkive", tha Nishani. Ndërkaq, Ministria e Brendshme vazhdoi të këmbëngulë se Bashkia e Tiranës po shkel hapur parimin e konfidencialitetit të të dhënave. Për këtë arsye, ministria, nëpërmjet zëdhënësit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të kryeqytetit të mos e plotësojnë formularin e shpërndarë nga bashkia në kuadër të plotësimit të adresarit të ri. “Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të Bashkisë së Tiranës të mbrojnë të drejtën për privatësinë e të dhënave të tyre personale, të jenë të kujdesshëm dhe të mos plotësojnë të dhënat që u kërkon z. Rama në tejkalim dhe anashkalim të ligjit, mbi numrin e telefonit fiks dhe celular, sipërfaqes së pronës, të qenit emigrant ose jo, punësimit e arsimimit, profesionit dhe vendit nga vijnë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›