E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e 32-vjeçares, policia hetime për mjekim të pakujdesshëm

Korçë Priten konkluzionet e ekspertëve të Tiranës

Policia e Korçës ka nisur hetimet për mjekim të pakujdesshëm për rastin e vdekjes së 32-vjeçares nga Maliqi. Elena Bazelli e cila ka mbërritur e vdekur në spital mëngjesin e së premtes, ishte shtruar në spital rreth dy javë më parë. Në datën 18 qershor ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e apendicitit. Nisur nga dyshimet se vdekja e 32-vjeçares mund të ketë ardhur nga infeksioni i shkaktuar nga plaga pas operacionit, policia e ka çuar çështjen në organet e prokurorisë. Burimet e policisë kanë thënë se nga ana e grupit hetimor në bazë të pretendimeve fillestare të familjarëve të viktimës kanë nisur hetimet ndaj bluzave të bardha për mjekim të pakujdesshëm, megjithatë pas marrjes në pyetje të mjekëve dhe kryerjes së autopsisë, policia është në pritje të përgjigjes së aktit të ekspertizës mjekoligjore pas marrjes së kampioneve për analiza të mëtejshme nga ana e një ekipi ekspertësh të ardhur nga Tirana. Elena Bazelli nga Maliqi u çua e vdekur në spitalin e Korçës ditën e premte nga ana e të afërmve të saj. Ajo kishte kaluar pothuajse dy javë nga kryerja e operacionit dhe ka pësuar një gjendje të fikëti, ndërsa do të shkonte në Korçë për të hequr penjtë nga vendi ku ishte kryer operacioni. Por ndërsa e kanë transportuar në gjendje të rëndë, 32-vjeçarja ka ndërruar jetë gjatë rrugës në pamundësi për të marrë ndihmën mjekësore. Gjatë kryerjes së autopsisë në morgun e Korçës janë thirrur edhe mjekët që kanë asistuar në operacion për faktin se është konstatuar një infeksion. Por nga ana e ekspertëve nuk u dha asnjë konkluzion mbi shkakun e vërtetë të vdekjes. Ndërsa pritet përfundimi për zbardhjen e shkakut që ka çuar në vdekjen e 32-vjeçares nga Maliqi, policia nga ana e saj ka dërguar çështjen në organet e prokurorisë për nisjen e hetimeve për mjekim të pakujdesshëm nga ana e mjekëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›