E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani, Sequi: Përmbushja e reformave, në mënyrë që Shqipëria të marrë “statusin”

13-07-2012 / Gazeta 55

Presidenti i zgjedhur, Nishani takon kreun e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi

Presidenti i zgjedhur i Republikës, z. Bujar Nishani priti sot në një takim Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Z. Ettore Sequi.
Ambasadori Sequi i shprehu Presidentit Nishani urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të kreut të shtetit shqiptar.
Gjatë bashkëbisedimit, ambasadori Sequi vlerësoi maksimalisht rolin e Z. Nishani në drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e një bashkëpunimi të frytshëm me delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.
Presidenti Nishani falenderoi Ambasadorin Sequi dhe nëpërmjet tij edhe Komisionin Europian për angazhimin dhe kontributin në shërbim të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe konsolidimit të demokracisë shqiptare.
Presidenti Nishani theksoi me këtë rast se delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.
Presidenti Nishani dhe Ambasadori Sequi ndanë të njëjtën pikëpamje lidhur me rëndësinë e përmbylljes sa më shpejt të reformave zgjedhore e parlamentare dhe për heqjen ose kufizimin e imunitetit, në mënyrë që në vjeshtën e këtij viti Shqipëria të marrë me meritë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE.
Presidenti Nishani dhe Ambasadori Sequi konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të ndërtuar dhe zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›