Nishani: Shmangni përdorimin politik të grevës

Ambasadori amerikan me ish te pendjekurit ne greven e urise
TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është angazhuar për ndjekjen në vijimësi të procesit të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe për këtë do të kërkojë informacion të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë për zbatimin e këtij ligji. Kjo është deklaratë e bërë nga Presidenti, Nishani gjatë takimit që përfaqësia e ish të përndjekurve grevistë pati ditën e sotme me kreun e shtetit.
Sipas Presidencës, Nishani ka shprehur bindjen se çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes zbatimit të legjislacionit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë si një mundësi rehabilitimi social për këtë shtresë dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar.
Presidenca njofton po ashtu se Nishani i ka shprehur ish të përndjekurve mendimin se duhet shmangur përdorimi politik i grevës.
Kreu i Shtetit ka shprehur vlerësimin për kontributin e pazëvendësueshëm që shtresa e ish-të përndjekurve politikë ka dhënë në historinë e Shqipërisë, ndërsa u ka bërë thirrje përfaqësisë së grevistëve që të kontribuojnë në shmangien e akteve ekstreme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të grevistëve dhe familjarëve të tyre.
Greva e ish të burgosurve politik ka hyrë sot në ditë e 21- të saj, ndërsa gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e përkeqësohet.
Menjëherë pas takimit me Presidentin, përfaqësuesi i grevistëve, Fatmir Lamaj tha se Nishani shprehu gadishmërinë për ti ndihmuar. Nishani u tregua i vëmendshëm ndaj kërkesave tona, tha ai, ndërsa shtoi se, është lënë e hapur mundësia e ritakimit.
Lamaj tha se greva do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Këtë mëngjes grevistët i ka vizituar edhe zëvendësambasadori i Francës, i cili është interesuar në veçanti për shqiptaro- francezin, Lavdosh Beqo, 81 vjeç. Lavdosh Beqo është një ish i burgosur me nënshtetësi franceze, i cili hyri në grevë menjëherë pas vetëdjegies së Gjergj Ndrecës. Nderkohe ky i fundit eshte transportuar per ne Greqi, per nje mjekim me te specializuar.