E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Shqetësim për vonesat dhe ndalimet në kufirin grek

Duke nënvizuar se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë që prej 15 dhjetorit 2010 në zonën Shengen nuk ka shfaqur deri më tash asnjë indikacion të karakterit kriminal dhe të kundraligjshëm, por është kryer në kushte mirëbesimi, respekti dhe disipline si të çdo qytetari evropian,

Ministri Nishani ngriti në takim dy shqetësime për sa i takon lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt Greqisë dhe anasjelltas. Gjatë takimit, Nishani shprehu shqetësimin për dukurinë e vonesave që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo të festave të tjera tradicionale. Së dyti, Ministri Nishani paraqiti shqetësimin mbi disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe veç kësaj u janë dëmtuar dokumentat e udhëtimit.

Në përgjigje të shqetësimeve të Ministrit Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Greqisë Z. Eleftherios Ikonomu deklaroi angazhimin e menjëhershëm për ngritjen sa më shpejt të një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar.

Ikonomu e cilësoi ndërkohë të papranueshme një sjellje të atillë siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit, dhe kërkoi nga policia shqiptare të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, e cila do të marrë masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë.

Në këtë takim Ministri Nishani shprehu mbështetjen e plotë për të përparësuar angazhimin dypalësh për krijimin e një qendre të përbashkët të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetin kriminal në Shqipëri dhe Greqi, si dhe inkurajoi formalizimin e takimeve periodike të strukturave policore për të gjitha fushat e luftës kundër veprimtarive kriminale.

                                                                                             2011-08-29 14:40
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›