E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhjet u takojnë qytetarëve - respektoni Kushtetutën”

01-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim anëtarët e KQZ-së

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zyra për shtyp e Presidencës bëri me dije se në takim Presidenti Nishani shprehu bindjen se trupa e re e KQZ-së do të përfaqësojë me integritet punën e këtij institucioni dhe i siguroi për mbështetjen e tij në dhënien, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e procedurave burokratike në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme parlamentare.
Duke nënvizuar se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë “domain” i asnjë force politike, kreu i shtetit i inkurajoi anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në sfidat që kanë përpara të orientohen vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, pavarësisht situatave që mund të krijohen gjatë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor. 
Presidenti Nishani u kërkoi anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të punojnë për ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit.
Kreu i shtetit solli në vëmendje edhe ftesën për t’u konsultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme. Po ashtu, i informoi anëtarët e KQZ-së edhe për Kodin e ri të Etikës, i propozuar nga OSBE-ja, për sjelljen e partive politike gjatë fushatës së ardhshme elektorale dhe procesit zgjedhor. 
Kryetarja Lefteri Lleshi e falënderoi Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit dhe e siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›