E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani bën analizën e vitit 2011: U rrit ndjeshëm zbulueshmëria e vrasjeve

 Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i është rikthyer sot punës së bërë nga strukturat e rendit gjatë vitit 2011, përmes një analize të bërë gjatë një takimi me mediat.

Nishani e ka vlerësuar si menaxhim profesional punën e bërë nga Policia e Shtetit në situatën e krijuar pas përmbytjes së pjesës veriperëndimore të vendit janarin e kaluar, ku nuk u shënua asnjë humbje jete.

Gjithashtu, sipas ministrit, me sukses është përballuar edhe fluksi i sezonit veror dhe ai i festave të fundvitit, duke u garantuar në çdo rast siguria dhe asistenca e forcave të rendit.

Përsa i përket nivelit të zbulueshmërisë së vrasjeve, Nishani u shpreh se ai është rritur gjatë vitit që lamë pas. Niveli i zbulueshmërisë së vrasjeve u rrit në nivelin 84 % gjatë vitit 2011. Prioritet ka pasur gjatë vitit të kaluar sidomos zbulimi i ngjarjeve të vjetra. Janë zbuluar gjithsej 298 vepra penale, nga të cilat 7 janë vrasje, tha ministri.

Nishani theksoi se gjatë vitit të kaluar është rritur niveli i besueshmërisë së qytetarëve te institucionet e rendit. Ai e ilustroi këtë fakt me rritjen e numrit të telefonatave të bëra gjatë 2011-s në numrat e policisë. Gjatë vitit 2011 janë bërë  15 mijë telefonata më shumë drejt policisë nga qytetarët, tha ai.

Duke u ndalur në punën për pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike, Nishani u shpreh se gjatë vitit që sapo u mbyll kanë aplikuar 2 128 000 shtetas.

Gjatë analizës së tij, ministri i Brendshëm nuk është ndalur në disa prej çështjeve që mbushën për javë me radhë faqet e kronikës, si ngjarjet e 21 janarit apo vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi tetorin e kaluar.

Në lidhje me vrasjen e 4 personave gjatë protestës së 21 janarit para Kryeministrisë, Nishani iu përgjigj interesimit të mediave se do të jetë drejtësia ajo që duhet të japë vendimin përfundimtar.

Të gjitha strukturat e shtetit që u angazhuan në mbrojtjen e rendit publik, institucioneve dhe sigurisë kanë përmbushur misionin e tyre.

Kjo çështje është tashmë në hetim nga prokuroria dhe është drejtësia ajo që duhet të japë vendimin përfundimtar dhe të gjykojë të gjitha veprimet e aktorëve që u përfshinë në sulmin ndaj institucioneve në 21 janar, tha Nishani.

Ndërsa për vrasjen e gjyqtarit Konomi, Nishani u shpreh se policia i ka përmbushur kompetencat e veta. Policia për aq kompetenca sa ka në mbledhjen e provave i ka përcjellë ato. Polica e Shtetit mbetet e gatshme në shërbim të grupit hetimor, për të adresuar çdo çështje që lidhet me hetimin, tha ai. / Gazmira Ndoja / Redaksia Online

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›