E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani iu kerkon vendoreve ne Kukes te bashkerendojne veprimet per dimrin

Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani u kërkoi sot autoriteteve të pushtetit vendor dhe të institucioneve publike të Qarkut të Kukësit të bashkërendojnë veprimet përgatitore për të përballuar problematikën e stinës së dimrit.

Ministri Nishani vuri theksin në rëndësinë e monitorimit të përditshëm 24 orësh të situatës dhe të shkëmbimit të informacionit mes institucioneve qendrore dhe vendore.

“Secili prej jush duke filluar nga Prefekti, dhe do të ftoja edhe kryetarët e njësive vendore dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të institucioneve shtetërore rajonale, të bëjnë një monitorim të vazhdueshëm të implementimit të planizimeve që ne përgatisim për të përballur situatën. Është shumë e rëndësishme që monitorimi të jetë i përditshëm dhe çdo 24 orë të kryhet komunikimi, marrja dhe ndarja e informacionit që nga qendra deri tek fshati më i largët”, është shprehur ministri Nishani.

Ministri Nishani theksoi se preokupimi kryesor i qeverisë është gjendja e qytetarëve si në qytet deri në fshatin më të largët, ndaj për të përballuar me sukses stinën e dimrit duhet të angazhohen totalisht të gjitha mjetet dhe burimet në dispozicion, e po kështu të veprohet me plane konkrete e të detajuara. Nishani kërkoi marrjen e të gjithë masave që qytetarët të furnizohen normalisht me energji, ujë, rezerva ushqimore dhe për qarkullimin normal në akset rrugore.

“Ju jeni drejtues që keni fituar një përvojë shumë të mirë përsa i takon menaxhimit të këtyre situatave. Ne të gjithë së bashku si përfaqësuesit e institucioneve të shtetit duhet të jemi të organizuar, të kemi një plan të detajuar, të kemi masa konkrete, të kemi parashikime konkrete, në mënyrë të tillë që kur të kërkohet ndërhyrja dhe veprimtaria operacionale në terren i gjithë mekanizmi të funksionojë në mënyrë normale.Rakordimi i ndërhyrjeve nga çdo agjenci dhe institucion duhet të jetë pjesë e punës së përditshme në mënyrë që atë vështirësi që na e sjell moti qytetarët ta kalojnë sa më lehtë që të jetë e mundur”

Ministri i Brendshëm kërkoi që t’i kushtohet rëndësi maksimale koordinimit mes krerëve të institucioneve vendore dhe institucioneve qendrore.

Në takim morën pjesë edhe Zv.ministri i Brendshëm Z. Ferdinand Poni, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Z. Alfred Olli, Prefekti i Qarkut Kukës Z. Elez Maçi, kryetarët e njësive vendore dhe krerët e drejtorive rajonale dhe agjencive shtetërore të Qarkut të Kukësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›