E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera dhe Sahin Te filloje puna per draftimin e nje marreveshjeje ne sherbimet sociale

Forcimi i bashkëpunimit në fushën sociale mes Turqisë dhe Shqipërisë ishte në fokus të takimit të zhvilluar sot mes Ministres së Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, Fatma Şahin, dhe Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.
Të dy homologët vlerësuan nivelin shumë të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shteteve, duke u ndalur në fushat e punësimit dhe të çështjeve sociale.

"Turqia është vendi i parë me të cilin Shqipëria ka firmosur marrëveshje në fushën e Sigurimeve Shoqërore, dhe një javë më parë Qeveria shqiptare miratoi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe të formimit profesional", u shpreh ministri Ksera, i cili i vlerësoi këto marrëveshje si shumë të rëndësishme dhe që lehtësojnë edhe jetën e shtetasve nga të dy vendet që kanë zgjedhur të jetojnë në vendet e ndërsjellta.

Ministrja Sahin u shpreh e gatshme për të forcuar bashkëpunimin mes dy ministrive. "Rritja e mbështetjes për shtresat vulnerabël të shoqërisë, zgjerimi dhe modernizimi i shërbimit në familje, hartimi dhe zbatimi i politikave për rritjen e punësimit të grave dhe të rinjve, kanë qenë fushat prioritare të Qeverisë tonë në këto vitet e fundit", deklaroi ministrja turke, e cila ofroi përvojën turke në këtë drejtim.
Në fund të takimit të dy homologët ranë dakort që ekspertët e të dy ministrive të fillojnë punën për draftimin e një marrëveshjeje në fushën e shërbimeve sociale.

Ministrja turke, Fatma Şahin, ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare dyditore, në krye të një delegacioni të përbërë nga deputetë të parlamentit turk dhe me pjesëmarrjen e Presidentes së Këshillit të Sipërmarrëseve gra të Unionit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë, Aynur Bektas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›