Nishani merr urime nga homologët e tij të Turqisë, Kinës, Spanjës dhe Maqedonisë

Me rastin e zgjedhjes si President i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani i kanë ardhur mesazhe urimi nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë Z. Gjorge Ivanov, Presidenti i Republikës së Turqisë Z. Abdullah Gul, Presidenti i Kinës Z. Hu Jintao dhe Ambasadori i Spanjës Z. Rafael Tormo Perez.
Një ditë më parë edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso ka përshëndetur zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Republikës.
Në mesazhin e tij dërguar presidentit të zgjedhur, Bujar Nishani, Barroso thekson se reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të bërë progres drejt BE- së kërkojnë një angazhim kombëtar. Sipas tij, duhet konsensus, punë e vazhdueshme, koherente dhe konstruktive nga të gjitha institucionet dhe partitë politike. “Si president që përfaqëson unitetin e popullit në përputhje me kushtetutën, ju do të keni një rol jetik në sigurimin një klime të qetë politike, për pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e gjyqësorit”- thuhet në mesazhin e Barrosos.
Bujar Nishani u zgjodh President i Republikës me 73 votat e mazhorancës, ndërsa u refuzua nga opozita, pasi sipas tyre nuk ishte një kandidaturë konsensuale.