E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani mesazhe për Mbretëreshën Beatrix dhe pasardhësin e saj Mbretin Willem-Alexander

TIRANE- Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dërgoi sot mesazhe të veçanta, Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Beatrix të Mbretërisë së Vendeve të Ulta, e cila i la kurorën trashëgimtarit të fronit mbretëror, Princit Willem-Alexander dhe uroi Madhërinë e Tij, Mbretin Willem-Alexander për angazhimin e marrë si Mbret i Mbretërisë së Vendeve të Ulta. 

Në mesazhet e tij Presidenti Nishani shkruan: 
“Madhëria Juaj,
Më lejoni t’Ju përcjell, në emrin tim dhe në emër të Shqipërisë mike, konsideratën më të lartë për kontributin e vyer në interes të vendit Tuaj gjatë kohës së mbretërimit tuaj! Dëshiroj, gjithashtu, t’Ju shpreh në emër të popullit shqiptar, mirënjohjen e sinqertë për rolin e rëndësishëm që keni luajtur në zhvillimin e thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të sinqertë midis dy vendeve tona mike! Me urimet e mia më të mira për shëndetin e lumturinë Tuaj, si edhe për begatinë e popullit mik holandez, ju lutem pranoni, Madhëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”

“Madhëria Juaj,
Kam kënaqësinë e madhe që, me rastin e Kurorëzimit Tuaj si Mbret i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju dërgoj urimet më të mira e më të përzemërta për suksesin tuaj në këtë angazhim të lartë!
Duke ju uruar edhe një herë suksese, ju lutem pranoni, Madhëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›