E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani nderon me urdhrin Gjergj Kastriot Skenderbeu Haradinajn

Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nderohet me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.
Shteti shqiptar vlerëson kontributin e z.Haradinaj si luftëtar dhe rolin e tij si poltikan.
“Ramush Haradinaj, i cili së bashku me bashkëluftëtarët e tij në Kosovë diti t’i dalë zot vendit të tij, popullit të tij, trojeve të shqiptarëve, dinjitetit të shqiptarëve dhe të ndeshet me një makineri të egër, që synonte spastrimin etnik, që ushtronte gjenocidin ndaj një populli, ndaj qytetarëve, ndaj një vendi. Por, gjithashtu diti në përmasat e një burri shteti të punojë fort me mjaft bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, politikanët dhe institucionet e Kosovës në konsolidimin e një shteti të ri, që po përparonte me shpejtësi drejt gjithë atyre standardeve të demokracisë për një shtet evropian- u shpreh Nishani.
Për ish kryeministrin e Kosovës, ky vlerësim është një angazhim më shumë për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik të dy vendeve.
“Është sfidë e madhe për mua sot dhe kam një ndjenjë jo të zakonshme të marr një nderim të këtillë dhe një përjetim, të cilin ua dedikoj të gjithë atyre, që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës e që jemi të gjithë ne dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugëtimin tonë deri këtu. Njëkohësisht, këtë nderim e pranoj si marrje të obligimit që të rrugëtojmë më tutje së bashku për të mirën e shqiptarëve kudo që janë dhe po ashtu për zotësinë tonë që të marrim garant komunitetet etnike, që jetojnë në hapësirat tona, ashtu si shqiptarët e kanë traditë”, u shpreh ish-Kryeministri i Kosovës.
Presidenti Nishani dhe zoti Haradinaj ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mundësive, krijimin e hapësirave të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin me synim zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›