Nishani në Librazhd: Situatë e vështirë, por nuk ka vend për panik
Pas qarkut të Korcës ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka mbledhur shtabin e emergjencave civile në Librazhd. Në fjalën e tij, Nishani ka kërkuar bashkëpunimin e strukturave të pushtetit lokal për të përballuar situatën, ndërsa ka shtuar se qeveria shqiptare ka marrë masa për përballimin e gjendjes emergjente.
“Situata nga moti i keq është e vështirë por nuk ka vend për panik. I kemi të gjitha kapacitetet për përballimin e situates. Mungesa e energjisë nuk është problem, përveç rasteve të defekteve.Policia dhe Shtabi i Emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Megjithatë ajo cfarë vlen për tu theksuar është fakti se kërkohet bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore”-ka thënë ai.
Nishani gjithashtu ka kërkuar solidaritet mes banorëve për të pastruar çatitë e shtëpive nga dëbora ndërsa ka bërë apel edhe për rreziqet që mund të vijnë nga orteqet.