E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani porosit drejtuesit e institucioneve të pavarura: Mos u stepni nga revanshi

nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka mbledhur drejtuesit e institucioneve të pavarura, duke u kërkuar atyre që të mos stepen apo të kenë frikë nga ndonjë revansh i mundshëm, duke nënkuptuar mazhorancën e re.

Në takimin e Nishanit ishin kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, kryeprokurori Adriatik Llalla, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, guvernatori Ardian Fullani, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dhe drejtoresha e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Zana Xhuka.

Jemi në fillim të tranzitimit të pushtetit nga një mazhorancë tek një tjetër. Përballimi me suksesin më të madh të mundshëm demokratik dhe profesional është qëllimi kryesor i këtij takimi.

Zgjedhjet prodhuan një mazhorancë të re politike, të cilës i urojmë suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj, tha Nishani, duke shtuar se prioritetet e qeverisë së re mund të jenë të ndryshme nga ato të qeverisë së mëparshme.

Por Nishani tha se qeveria duhet të zbatojë ligjet dhe moralin publik dhe institucional.

Qeveria dhe kryeministri i ri mund të kenë pikëpamjet e tyre për raportin që do të vendosin me këto institucione, por baza e punës së përditshme e këtyre institucioneve është e përcaktuar krejtësisht, e pavarur dhe mbi të gjitha duhet ti përgjigjet zërit të profesionalitetit, tha Nishani.

Tashmë institucionet kushtetuese të shtetit tonë janë mekanizma të kolauduara që funksionojnë me rendiment të kënaqshëm, pa marrë parasysh asnjë përkatësi, por vetëm në përputhje me ligjin. Funksionimi i mirë i institucioneve ka dy anë, funksionimin e brendshëm dhe pamjen nga jashtë, apo perceptimin publik. Këto dy elementë shkojnë krahas me njëri- tjetrin, tha Nishani, duke theksuar se liria shtohet në mënyrë të drejtë me besimin në rritje që njerëzit kanë tek institucionet.

Jemi në një kohë serioze për të ardhmen tonë evropiane, tha Nishani, duke paralajmëruar që drejtuesit e këtyre institucioneve të mos stepen nga ndonjë revansh i mundshëm.

Do ishte e dëmshme dhe kundërproduktive stepja apo frikë nga ndonjë revanshi të mundshëm. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë për atë rol të madh që garantimit ligjor që keni ndaj demokracisë shqiptare.

Çdo ndërhyrje e jashtme politike nuk duhet konsideruar si pengesë, por i duhet përgjigjur ligjërisht.

Askush nuk duhet të ndihet i cenuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm.

Një periudhë e tillë tranzitimi është perceptuar jo shpesh si një kohë e mirë dhe e dobishme për të përdorur elementët e krimit, veçanërisht atij ekonomik, ndaj janë për tu përshëndetur institucionet si KLSH, që kanë prezantuar një seri masash, tha Nishani.

Do donim që askush të mos e shkelte ligjin, të mos kishte asnjë krim, të kishim zero korrupsion dhe të kishim para pafund, por kjo nuk është realiste.

Të punojmë me sa më tepër devocion për një shtet real, bazuar tek ligji, në përputhje me nevojat reale, rrethanat konkrete dhe jo bazuar tek meskiniteti dhe interesi. Vetëm kështu mund të përsosim shtetin real.

Nëse institucionet dështojnë në shtimin e lirisë së shtetasve, atëherë kjo është fatkeqësia më e madhe.

Në përfundim dëshiroj të theksoj rëndësinë e madhe që ka funksionimi i konsoliduar dhe i pandikuar i këtyre institucioneve, theksoi kreu i shtetit./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›