E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani priti në një takim kortezie ambasadorin e Austrisë, Raunig

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim kortezie, me rastin e mbarimit të detyrës, Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, Florian Raunig.

Presidenti Nishani vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë, të cilat kanë një histori dhe traditë të gjatë që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe vuri në dukje intensifikimin e tyre në planin e bashkëpunimit ekonomik, në rrafshin politik gjatë mandatit të Ambasadorit Raunig, si edhe në veçanti, shprehu mirënjohjen për ndihmën austriake në fushën e sigurisë, drejtësisë, arsimit dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

Nga ana e tij Ambasadori Raunig shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm me institucionet shqiptare, duke veçuar bashkëpunimin e ngushtë me Presidentin Nishani në të gjitha pozicionet kyçe të mbajtura nga Kreu i Shtetit, gjatë mandatit diplomatik.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për punën dhe prioritetet e Misionit të OSBE-së në Tiranë, në mandatin e ri të Ambasadorit Raunig.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›