E Diel, 1 Nëntor 2026

Siria, Lavrov: Rusia nuk hyn në luftë edhe në rast ndërhyrjeje ushtarake

MOSKË- "Moska nuk do të hyjë në luftë me asnjë vend, kjo edhe në rast ndërhyrjeje ushtarake të perëndimorëve në Siri, deklaroi sot ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në përfundim të një konference për mediat në Moskë, gjatë të cilës u shpreh se ''nuk dëshironte t'u përgjigjej pyetjeve që fillonin me ''Nëse''.

''Moska nuk do të hyjë në luftë me asnjë shtet edhe në rast ndërhyrjeje ushtarake të vendeve perëndimore në Siri'', theksoi kryediplomati rus në përfundim të konferencës së shtypit në Moskë. 

Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, një ndërhyrje e armatosur në Siri pa një mandatim të OKB-së do të ishte një hap tejet i madh, që shkel rëndë të Drejtën Ndërkombëtare.
''Një ndërhyrje ushtarake në Siri, pa pasur një mandatim të posaçëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të përbënte një shkelje jashtëzakonisht të rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare'', theksoi kryediplomati rus, Sergei Lavrov, gjatë një konference të veçantë shtypi në Moskë.

"Deklaratat e perëndimorëve mbi Sirinë bien në kundërshtim me marrëveshjet e samitit të fundit të ''G 8''-s, sipas të cilave çdo episod që lidhet me përdorimin e armëve kimike duhet të hetohet deri në hollësitë më të vogla dhe rezultatet duhet të dorëzohen në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe më pas të flitet për sulme", u shpreh sot gjatë një konference shtypi në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Sipas Lavrov, ''Perëndimi po ndërmerrte dy role, atë të hetuesit dhe atë të Këshillit të Sigurimit të Organizatën e Kombeve të Bashkuara''.

Po keshtu, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dënoi ''histerinë e krijuar lidhur me çështjen e Sirisë'' pas, sipas tij ''të ashtuquajturit sulm me armë kimike''.
Ai u shpreh në lidhje me "të ashtuquajturin sulm me armë kimike se nuk kishte sens as të mendohej si alternativë që Damasku ta përdorte kundër popullit të vet, aq më pak kur në vend ndodheshin tashmë ekspertët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara''.
''Aktualisht, është shumë e rëndësishme të veprohet në mënyrë tepër të përgjegjshme pa lënë vend për përsëritjen e gabimeve të së kaluarës'', deklaroi ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›