Eduard Selami sulmon Ramën: Në 23 qershor, fund politikës së bllokimit
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Eduard Selami, ka sulmuar për herë të parë opozitën. Gjatë mitingut në zonën e tij elektorale ai tha se lidershipi i Partisë Socialiste, me bllokimin e tre ligjeve, nuk lejoi që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”. Selami ka theksuar nga Librazhdi se nëse ai do të kishte dëgjuar zërin e shumicës së shqiptarëve, nëse do të kishte dëgjuar dëshirën e miqve tanë në mbarë botën, nëse do të kishte dëgjuar zërat e moderuar brenda PS dhe të deputetëve socialist, sot Shqipëria do të ishte vend kandidat në BE”, u shpreh Selami në mitingun elektoral në Librazhd, ku u prezantuan kandidatët për deputetë. Duke vijuar më tej me akuzat, Selami theksoi se së bashku do të integrojmë Shqipërinë në BE, së bashku me votën tuaj në 23 qershor do ti japim fund politikës së bllokimit. Kandidati për deputet i PD-së, tha se Shqipëria sot nuk është një vend i izoluar, por një vend anëtar i NATO-s, ndërsa shqiptarët udhëtojnë pa viza në Evropë. PD me programin e saj është sot shpresa më e mirë e ëndrrës së shqiptarëve për tu bërë pjesë e Evropës së Bashkuar, nënvizoi Selami, ndërsa shtoi se fatkeqësisht në anën tjetër nuk ndahet e njëjta dëshirë për tu dhënë këtë mundësi shqiptarëve. Selami kërkoi nga banorët e Librazhdit mbështetjen ndaj PD në zgjedhjet e 23 qershorit, pasi, sipas tij, “një vazhdim i mbështetjes ndaj PD dhe kryeministrit Berisha do të thotë një shtet ligjor më i fortë, më shumë investime të huaja, më shumë vende pune, më shumë të rinj shqiptarë të studiojnë në perëndim, më shumë rrugë të shtruara, qendra shëndetësore dhe shkolla, më shumë mbështetje për fermerët”.