Nishani:Gjakmarrja, arsyeja kryesore pse shqiptarët kërkojnë azil
Autoritetet zyrtare në Shqipëri janë vënë në lëvizje nga zhvillimet më të fundit me procesin e udhëtimit pa viza të qytetarëve për në zonën Schengen të BE-së. Në dy nga shtetet pritëse, në Belgjikë dhe në Suedi është rritur numri i qytetarëve shqiptarë të cilët kanë paraqitur kërkesë azili. Duke iu referuar shifrave zyrtare që posedon Ministria e Brendshme në Tiranë, në Belgjikë në periudhën korrik-shtator ka patur 50 raste të tilla, ndërkohë që në dy javët e para të tetorit ka dhe 20 kërkesa të reja për azil nga qytetarët shqiptarë. Ndërsanë Suedi deri më tani janë 85 kërkesa azili gjithsej.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani thotë për DW se këto shifra krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku janë evidentuar dhe rreth 1.000 kërkesa për azil sigurisht që janë tepër të ulta.
Por ne duam që të jemi maksimalisht korrekt dhe që as dhe një qytetar i vetëm të mos jetë të themi një eksportues i shqetësimit për autoritetet e vendeve anëtare të BE-së. Të mos ketë as dhe një qytetar që të krijojë perceptime jo të mira ndaj shoqërisë shqiptare dhe mazhorancës së qytetarëve shqiptarë. Ka qenë mjaft i qartë qëndrimi i Komisionit Evropian se nuk bëhet fjalë këtu për ndonjë situatë dramatike, por natyrisht të gjitha masat duhen marrë, shprehet ministri Nishani.
Azilkërkuesit kërkojnë mbrojtje nga fenomeni i gjakmarrjes
Ministri Bujar Nishani thotë se po bashkëpunohet ngushtë me autoritetet e belge dhe suedeze për të analizuar me kujdes situatën e krijuar së fundi në këto dy shtete. Në pjesën më të madhe azilkërkuesit, sipas tij, kanë përdorur si argument mbrojtjen nga fenomeni i gjakmarrjes. Bujar Nishani pranon se ky fenomen ka ekzistuar dhe ekziston në realitetin shqiptar, por jo në atë nivel sa është pretenduar nga azilkërkuesit, që sipas tij, kanë abuzuar me dokumentacion jo të rregullt dhe të fallsifkuar në arritjen e qëllimit të tyre.
Informacionet tona paraprake flasin për dhënie të dokumenteve ose vërtetimeve nga ana e shoqatave të ashtuquajtura se janë angazhuar në faljen e gjakut. Por dhe për shkak të familjaritetit dhe të akteve korruptive të disa kryetarëve të komunave, të cilët lëshojnë vërtetime të tilla për qytetarë që nuk kanë patur lidhje me problemin e gjakmarrjes, që e bëjnë këtë mbi bazën e rrushfetit. Ky varion nga 50 deri në 100 euro për vërtetime të tilla. Autoritetet ligjzbatuese po hetojnë me shumë kujdes sa i takon lëshimit të dokumentave të fallsifikuara. Nga ana tjetër ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e institucioneve të këtyre vendeve, ku Ministria e Brendshme në Tiranë ka bërë të qartë se të gjithë qytetarëve shqiptarë që janë paraqitur për të kërkuar azil në mënyrë të paargumentuar dhe me dokumente të fallsifikuara do të kthehen menjëherë në Shqipëri. Gjithashtu po shikojmë nëse këtu kemi të bëjmë dhe me elementë të veprimtarisë kriminale.
Pala shqiptare do të përballojë shpenzimet e transportit për qytetarët e kthyer si dhe trajtimin psikosocial të tyre me kthimin në familjet e tyre. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë përsërit për DW se rastet e fundit nuk do të mund prishin imazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët treguan me procesin e regjimit të vizave për zonën Schengen se janë bashkëpunues dhe të gatshëm për të respektuar sistemin e rregullave për udhëtimin pa viza.