Nisin në Kukës përgatitjet për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës
Një nga ngjarjet më të mëdha të kulturës kombëtare siç është Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës pritet që të zhvillohet pas dy muajsh. Për këtë qëllim qarqet kanë nisur punën, megjithëse në disa raste përgatitjet janë të vonuara. Ndërkohë që përgatitjet për në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës në qarkun e Kukësit kanë hyrë në fazën e evidentimit të vlerave, me synim përfaqësimin real të vlerave të kulturës shpirtërore dhe materiale të banorëve të kësaj treve.
Nga drejtoria e pallatit të kulturës "Hasan Prishtina" të qytetit të Kukësit bëhet e ditur se grupi folklorik i qarkut të Kukësit do të ketë 16 valltarë, 4 instrumentistë prej të cilëve 2 për lodër e dy për curle si dhe 26 këngëtarë nga të gjitha trevat. Ky festival do të synojë gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit muze të Gjirokastrës dhe zonave rreth saj në veçanti, duke përcjellë tek spektatorët dhe vizitorët vendas dhe të huaj dhe në publikun e gjerë, kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare. Një nga vallet më interesante, që qarku i Kukësit do të paraqesë në Festivalin Kombëtar në Gjirokastër është vallja e Gorës, mjaft e vjetër që transmetohet nga brezi në brez e që kërcehet në unison nga gjithë brezat nga 7 në 70 vjeç. Specialistët e kulturës popullore vlerësojnë me interes dhe vallen e vajzave e krahinës së Lumës me motive mjaft të vjetra dhe origjinale, të paekspozuar më parë. Po kështu është edhe kënga e këngëtarit të vjetër popullor Rexhep Kovaçi, e paekspozuar deri tani, ndonëse është këngë e vjetër, si dhe disa këngë të viteve të fundit, interesante për evoluimin e këngës popullore gjatë viteve të fundit. Në këtë eveniment kulturor grupi folklorik i qarkut të Kukësit pretendon të fitojë disa çmime kryesore të festivalit, pasi deri tani në të gjitha festivalet, kuksianët kanë fituar çmime për nivelin e lartë të ekzekutimit e interpretimit të kulturës popullore Megjithatë, gjithçka do të vlerësohet në 18 korrik, kur nga specialistët e Ministrisë së Kulturës do të përzgjedhin numrat më të mirë të grupeve folklorike të qarkut që do t'a përfaqësojnë në Festivalin Kombëtar. Këtë vit MTKRS ka vendosur që në këtë festival që zhvillohet nga data 24-29 shtator, grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, kundrejt 50 që më parë kanë qenë në festivalet e tjera dhe koha e konkurrimit do të jetë 30 minuta nga 20 minuta që ka qenë më parë. Gjithashtu për ti ardhur në ndihmë çdo qarku edhe nga ana financiare, qeveria shqiptare dhe MTKRS ka vendosur që çdo qark të përfitojë një shumë prej 7 milion lekësh të vjetra, nga 5 milion lekë të vjetra që ka qenë në vitet e mëparshme.