E Diel, 1 Nëntor 2026

A H1N1 në Shqipëri, spitalet pa kapacitete e nevojshme

Spitalet tona nuk janë të përgatitura deri në fund për përballimin e të sëmurëve me grip derri në momentin që mund të shfaqet në vendin tonë. Madje as ambientet nuk janë të mjaftueshme për përballimin e një fluksi pacientësh. Ajo që ju mbetet si një gur i fundit autoriteteve shqiptare është që ti ndjekin dhe ti trajtojnë rastet e prekura nëpër shtëpitë e të prekurve. Në Spitalin Infektiv, aty ku do të priten edhe rastet e para te të prekurve nga virusi H1N1, nuk ka dhoma  të mjaftueshme për rastet e para. "Mund të mbulojmë 10 veta ditën e parë. Jemi përgatitur që rastet e para ti hospitalizojmë, por popullata duhet të jetë e përgatitur për rastet që do të menaxhohen në shtëpi, shprehen mjekët e këtij reparti. Nga ana e mjekëve është bërë e ditur se godina e reanimacionit është në rikonstruksion dhe rastet emergjente të infektivit priten këtu. Mjekët specialistë pohojnë se në Shqipëri edhe mund të ketë raste të prekura më virusin H1N1 por të pakonfirmuara. Shenjat e para nuk janë vetëm temperatura e lartë dhe kolla, por edhe të vjellat dhe diarreja. OBSH rekomandon që strukturat e shëndetësisë të jenë të pajisura me një sasi tamifluje që përben 25 % të popullsisë por është e domosdoshme edhe marrja e vaksinës, e cila është e kushtueshme.
Ministria e Shëndetësisë në Greqi shpall pandeminë
Greqia është vënë në alarm pas shtimit të rasteve me virusin A/H1N1 gjatë ditëve të fundit, çka ka bërë që zyrtarët të shpallin pandeminë. Ministri i Shëndetësisë, Dimitri Avramopoulos ka bërë me dije se gjatë 12 muajve të ardhshëm, 33 % e popullsisë rrezikon të infektohet me virusin e rrezikshëm. Tani është momenti të ruajmë qetësinë, maturinë dhe të mos krijojmë panik, theksoi Avramopoulos. Aktualisht Greqia numëron 201 raste të konfirmuara me gripin e derrave, ndërsa mes tyre ka edhe disa shqiptarë. Shtimi i emigrantëve që kthehen gjatë muajve të verës për të kaluar pushimet rrezikon seriozisht edhe vendin tonë ku ende nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë rast me virus.
Dyfishohet numri i të prekurve në shumë vende të botës
Rastet e infektimit me virusin H1N1 janë dyfishuar në Britaninë e Madhe brenda dy ditësh. Autoritetet atje mendojnë se do jenë të paktën 100 mijë të sëmurë shumë shpejt, ndërkohë që deri më sot numri i viktimave ka shkuar në 14 të vdekur. Britania është një ndër vendeve me numrin më të madh të të prekurve, ndërsa listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të gjithë botën numërohen të prekur nga 135 vende të botës. Ndërsa në Bolivi në listën e 547 të prekurve nga virusi i derrit, janë edhe dy deputetë. Në këtë vend janë pezulluar të gjitha aktivitetet publike, ndërsa shkollat janë mbyllur prej dy javësh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›