Nisin negociatat për zgjidhjen e krizës politike
06/01/2010 Ndërkombëtarët rekomandojnë Topin për kryenegociator mes palëve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është i parapëlqyeri i komunitetit ndërkombëtar për të drejtuar negociatat mes dy partive të mëdha për zgjidhjen e krizës. Megjithëse tepër të rezervuar në deklarimet e tyre, burime brenda dy partive janë shprehur dje për “Metropol” se kjo ka qenë një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar, që u është përcjellë dy partive politike me anë të europarlamentarëve, por edhe organizmave të tjera, siç janë Këshilli i Evropës. Nga të njëjtat burime mësohet se emri i presidentit është kundërshtuar fort në tryezat e organizuara me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve, por duket se së fundi rezistenca e maxhorancës është lëkundur.
Negociatat
Ndryshe ka ndodhur me pjesën tjetër të politikës, pra me opozitën shqiptare. Ajo ka qenë dakord që Presidenti i Republikës të jetë në krye të negociatave për këtë çështje, por duke vënë si kusht themelor hapjen e kutive ose në të kundërt zgjedhje të parakohshme. Në takimet e zhvilluara në fund të vitit të kaluar nga përfaqësuesit e dy partive politike, takime të veçanta qoftë me KE-në, qoftë me përfaqësues të BE-së, këto dy çështje kanë qenë tema më e nxehtë e bisedimeve, por që janë hedhur poshtë nga këto institucione, duke lënë në dorën e forcave politike shqiptare një zgjidhje të tretë, e cila do të ishte e pëlqyeshme për të dyja palët. Nga ana e tyre institucionet ndërkombëtare nuk kanë lënë jashtë dhe darën e presionit, duke u kujtuar palëve se stabiliteti politik është një ndër kushtet kryesore qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për procesin integrues. Ndërkohë që kundërshtimeve të maxhorancës për emrin e Presidentit përfaqësuesit ndërkombëtarë u janë përgjigjur me argumentin e mosgjetjes së një gjuhë të përbashkët mes forcave politike në vend, situatë e cila u bë shumë shqetësuese për komisionerin Olli Rehn, që u shpreh se “po rrezikohet integrimi”.
Kushtet në tryezë
Pas më shumë se 7 muajsh krizë politike, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kjo është hera e parë që shihet një fije drite se problemi mund të marrë një zgjidhje përpara se të vendoset për djegien e mandateve të deputetëve të PS-së. Ndërkohë të dyja partive përgjatë kësaj kohe u duhet të mendojnë se me çfarë kushtesh do të shkojnë te Presidenti, ku me interes të veçantë pritet të jenë kërkesat e opozitës, në rast se tërhiqet nga hapja e kutive apo zgjedhjet e parakohshme, kërkesa që i ka përsëritur në çdo protestë të saj.
Protestat
Në muajin janar pritet të ketë zhvillime dhe për sa i përket rinisjes së protestave nga ana e opozitës. Megjithatë, deri tani nuk është thënë ende një datë e saktë se kur do të rifillojnë, megjithëse po kalon java e parë e këtij viti. Në fjalimet e tij Rama është shprehur kategorik për hapjen e kutive ose zgjedhje të parakohshme.
Paralajmërimi
Por një paralajmërim serioz lidershipit të opozitës i ka ardhur edhe nga deputetët që përfaqësojnë mendimin ndryshe. Marko Bello në ditët e fundit të vitit që shkoi deklaroi se në janar këta deputetë do të hyjnë në Kuvend, veprim ky që do e zbehte së tepërmi aksionin e opozitës dhe do të ulte besueshmërinë e saj.