Shpërthen në flakë një automjet, digjen edhe dy të tjerë
06/01/2010 Kaos me tym dhe trafik në një nga rrugët kryesore të qytetit
ELBASAN-Shpërthen në flakë një automjet, digjen edhe dy të tjerë në një nga rrugët kryesore të qytetit duke bllokuar trafikun dhe mbuluar me re tymi qytetin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.30 në afërsi të kryqëzimit të Poliklinikës Dentare kur mjeti i tipit Audi veturë me targa EL 2713 B ka marrë flakë në ecje e sipër. Drejtuesi i mjetit ka ndaluar dhe dalë menjëherë nga mjeti, pasi është përballur me zjarrin në sistemin e ngrohjes. Për rreth 30 minuta qyteti i Elbasanit është mbuluar nga një re tymi dhe nga paniku. Veç tymit të zi dhe djegies së një tjetër mjeti pranë Audit, impianti i gazit është cilësuar si më i rrezikshmi, pasi nga momenti në moment mund të shpërthente bombola. Policia ka arritur të kthejë pjesën më të madhe të mjeteve, ndërkohë që kanë mbërritur zjarrfikësit. Nëpërmjet shkumës ata kanë bërë të pamundurën për dominimin e flakëve, ndërkohë që janë bërë përpjekje për hapjen e pjesës së pasme të makinës për të larguar bombolën e gazit. Pasi është fikur pjesa më e madhe e zjarrit, është arritur hapja e pjesës së pasme dhe nxjerrja e bombolës. Fatmirësisht sasia e gazit ka qenë e vogël. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Sipas drejtuesit, zjarri ka nisur tek kaldaja pasi kishte ndezur kaloriferin e makinës. Makina sipas tij është nxehur edhe prej trafikut që kishte përfshirë këtë segment rrugore. Pas fikjes së zjarrit mjeti i djegur është larguar nga rruga. Po kështu një dëm të konsiderueshëm pësuan një mjet Lanca me targa të huaja dhe një Ford Festa. Trafiku ka qenë një tjetër problem pas këtij incidenti. Rruga është bllokuar dhe qarkullimi në qytet ka qenë thuajse i pamundur. Me qindra makina kanë qëndruar me orë në pritje që rruga të bëhej e qarkullueshme.