Rinisin reshjet, alarmohen specialistët: Të largohen banorët
06/01/2010 Nuk pranojnë evakuimin, nëse vazhdojnë reshjet do të rriten shkarkimet e digave
SHKODER- Në zonat e përmbytura të Shkodrës aktualisht rreziku është shumë i madh vetëm po të vëzhgohen nga afër prurjet në kaskadat e lumit Drin për shkak të reshjeve të shiut që nga Alpet e deri poshtë tyre. Në këto kushte tre hidrocentralet që ndodhen në kaskadën e Drinit, Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës do të jenë të detyruar të bëjnë shkarkime masive uji çka do të sjellë detyrimisht dhe rritjen e nivelit të ujit nëpër zonat e përmbytura në kuotat e rrezikshme për jetën e banorëve.
Shkarkimet e hidrocentraleve
Madje edhe ditën e djeshme shkarkimi i hidrocentraleve e ka rritur nivelin e ujit në zonat e përmbytura nga 30 centimetër në 40 centimetër. Banorët e zonave të rrezikuara në komunën Dajç, Ana e Malit ,Gur i Zi kanë filluar t’u përgjigjen kërkesave të Kryeministrit Berisha, por edhe të Kryeparlamentares Topalli, duke larguar pak nga pak fëmijët dhe të moshuarit. Ata shprehen se nuk mund të largohen të gjithë e të lënë banesat dhe bagëtitë në mëshirë të fatit, por të paktën kryefamiljari do të qëndrojë të bëjë roje në shtëpi. Në rast rreziku ata do të lajmërojnë në mënyrë që dikush t’i shkojë t’i marrë. Ndërkohë banorët e lagjeve periferike të qytetit që kanë banesat e rrethuara nga uji shprehen se nuk do largohen nga shtëpitë, pasi janë mësuar me prurjet e Drinit dhe Bunës edhe në vitet e tjera kur ka pasur reshje të shumta. Por ndërkohë pjesëtarët e shtabit të emergjencave civile po përpiqen t’ua mbushin mendjen se situata nuk është e njëjtë me atë të viteve të kaluara, ndaj duhet të largohen sa më parë për të mënjanuar fatkeqësitë njerëzore. Njëkohësisht prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, në cilësinë e drejtuesit edhe të shtabit të emergjencave civile ka bërë të ditur se pas këshillimeve me specialistë të hidroenergjetikes dhe të digave janë marrë masa për forcimin e disa pjesëve të argjinaturës së lumit Buna në zonën e Dajçit.
Alarmi
Në rast se është e nevojshme do të bëhet lartësimi me thasë të digës në Dajç. Forcat e policisë dhe të ushtrisë po merren me vendosjen e rreth një mijë thasëve pranë zonave të rrezikuara për t’i përdorur ku do të jetë e nevojshme për pritjen e ujit. Ndërkohë në takimin e organizuar dje në Shkodër Berisha tha se: “Rritja e Komanit me një nivel mbyt komplet sallën e turbinave në Fierzë. 175.8 është pika kritike, hyn në ujë turbinat dhe bllokohen. Tani fjalën tërësisht e kanë vetëm specialistët e digave dhe hidrocentraleve. Ne do marrim masat. Ne u kërkojmë atyre sigurinë maksimale për të parandaluar çdo lloj problemi madhor. Kjo është kërkesa e qeverisë ndaj tyre. Ne do zbatojmë me përpikëri çdo vendim të grupit të emergjencës së digave dhe hidrocentraleve. Për çfarë të vendosin ata qeveria do të thotë vazhdoni. Jemi në limitet e asaj që ne duhet të zbatojmë. Edhe ata fermerë duhet ta dinë që dëmet këto kanë qenë minimale dhe tani do të detyrohemi të bëjmë derdhje të mëdha, ndoshta 3 - 4 fishin e këtyre. Të fillojnë që tani veprimin, sepse edhe njëherë shkarkimet mund të 3 -4 fishohen brenda orëve dhe në mënyrë absolute ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të përpiktë të urdhrit apo kërkesës të komisionit të digave dhe liqeneve”. Njëkohësisht Berisha nënvizoi faktin se banorët duhet të jenë tashmë edhe ata të përgjegjshëm për rrezikun ndaj duhet urgjentisht të evakuojnë zonat e përmbytura duke filluar me largimin e fëmijëve, grave, të sëmurëve, të moshuarve. Përfundimisht duhet të largohen të gjithë në mënyrë që askush të mos qëndrojë nën rrezikun e vdekjes. Nga ana tjetër drejtuesit e Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës i kanë bërë thirrje banorëve që të evakuojnë zonat e përmbytura duke marrë me vete dhe lopët për të cilat pretendojnë kryesisht se po rrinë. Policia ka vënë në dispozicion edhe mjete të posaçme për transportimin e bagëtive. Për dy ditë me radhë reshjet pushuan dhe situata filloi të zbutej, pasi dhe niveli i ujit filloi të binte. Mesnatën e djeshme rifilluan reshje dëbore, të cilat u kthyen më pas në reshje të dendura shiu duke rikthyer frikën e përmbytjeve të mëdha deri në rrezikim serioz të jetës së banorëve.
Sarandë, udhëtimi vetëm në njërin krah
Moti i egërsuar shkakton çarje të thella në rrugën e bregdetit
SARANDË - Rruga e Bregdetit, që përshkon të gjitha fshatrat në jug të vendit që lagen pranë bregut të detit Jon, me gjatësi rreth 120 kilometra, e cilësuar si një nga investimet historike të komunikimit në jug të vendit, në orët e para të mëngjesit ka marrë “plagë të thella” në kushtet e motit të vështirë e të egërsuar të këtyre ditëve. Burime zyrtare nga nënprefektura e Sarandës dhe Delvinës, pohuan se për shkak të motit të keq, shumë pjesë të asfaltit kanë pësuar çarje të thella dhe lineare që shkojnë në më shumë se 70-80 metra secila, si pasojë e zhvendosjes së dherave.
“Çarjet e mëdha janë shfaqur në pesë segmentet të saj nga Nivica në Borsh, në aksin rrugor kombëtar Himarë-Sarandë, me gjatësi rreth 60 kilometra”, thanë burime zyrtare, duke nënvizuar se, qarkullimi i automjeteve në këto pjesë të dëmtuara është kthyer në rrugë me një kalim.
Rruga e Bregdetit, megjithëse në një terren shkëmbor dhe tepër e vështirë është shtruar e tëra me asfalt. Ky segment ka kushtuar afro 3,6 miliardë lekë, financuar tërësisht nga buxheti i shtetit. Kalimi i saj pranë bregut të Jonit dhe mbi kurrizin malor të Rivierës, i jep një tjetër kënaqësi udhëtimit të çdokujt, pasi ofron një panoramë të larmishme e origjinale.
Prefektura Fier në gatishmëri
FIER- Prefektura e qarkut Fier dhe njësitë vendore të saj kanë qetësuar banorët e këtij rajoni për sa u përket kapriçove të motit, se situata në Fier është e qetë. Nuk paraqitet më problematike situata dhe gjendja e banorëve që kanë ndërtuar shtëpitë përgjatë shtratit të lumenjve. Sipas prefektit të qarkut Fier, Bujar Hasaj, situata është nën kontroll dhe grupet e verifikimit në terren kanë marrë të gjitha masat sidomos në pikat kyçe dhe problematike të marrin masa për përballimin e situatës. “Situata është e qetë në rajonin Fier, pasi edhe reshjet nuk kanë qenë në atë nivel që kanë qenë më parë në kohën e përmbytjes”,-ka thënë Hasaj.
Por kjo situatë është e tillë sipas sinoptikanëve falë edhe reshjeve jo të dendura të rëna përgjatë këtyre ditëve në krahasim me pak javë më parë. Vetëm vërshimi i lumenjve Vjosë e Fier, sollën 5 herë përmbytje brenda 1 muaji në qarkun Fier, ku më problematike paraqitet gjendja në tregun industrial të Fierit dhe lagjet “Sheq i Madh” dhe “Sheq i vogël” në qytetin e Fierit nga vërshimi i lumit Gjanicë, përmbytjet në fshatrat e komunës Levan dhe Frakull nga lumi Vjosë.