Gjendet pa jetë infermieri, nuk dihen shkaqet
DURRËS- Vetëm 26 vjeç, por ka ndërruar jetë dje në banesën e tij, ku dhe u gjet i vdekur, ndërsa mjekët nuk kanë ditur t’i japin një shkak dhe po ashtu, edhe hetuesit. Ermal Ndoi, infermier në spitalin e Durrësit, banor i lagjes 17 të këtij qyteti, u gjet dje pa jetë në divanin e shtëpisë së tij. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se 26-vjeçari kishte biseduar pak para vdekjes me babanë e tij, por nuk kishte dhënë asnjë arsye për të dyshuar se kishte ndonjë problem. Pas hetimeve paraprake të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se pranë vendit ku u gjet i riu nuk kishte asnjë shenjë që të bënte të mendoje se Ndoi kishte vrarë veten. Gjithçka madje dyshohet të ketë ndodhur nga një vdekje natyrale, e ardhur për shkak të ndonjë infarkti të menjëhershëm. Ndërkaq, nga ana e bluzave të bardha është kryer autopsia, ndërsa priten përgjigjet e saj për të dhënë një variant përfundimtar për vdekjen e të riut. Nga ana e familjarëve bëhet e ditur se 26-vjeçari nuk ka pasur probleme që ta shqetësonin dhe ta çonin atë në kryerjen e një akti vetëvrasës. Gjithashtu, ata u shprehën se Ermali nuk vuante as nga ndonjë sëmundje dhe vdekja e tij ishte e papritur dhe e pamenduar prej tyre. Ndërkaq, nga ana e policisë vazhdojnë hetimet për ngjarjen, ndërsa pritet përgjigjja e bluzave të bardha.