Vrasja në qeli e 16-vjeçarit mbërrin në Strasburg
TORTURA/ Familjarët e Erigert Cekës kanë vendosur që të mos ndalen vetëm në hallkat e gjykimit shqiptar
MIRDITË – Ka mbërritur në Gjykatën e Strasburgut çështja e vdekjes së të miturit Erigert Ceka në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Mirditës. Pas padisë penale, familja ka bërë dhe padi civile, ndër paditë e rralla në gjyqësorin shqiptar, që lidhet me shpërblimin e kërkuar për dhimbjet shpirtërore shkaktuar familjes së të miturit Erigert Ceka, nga qyteti i Rubikut. Kështu, pas më shumë se 40 seancave gjyqësore në Gjykatën e Mirditës e deri në Gjykatën e Apelit, u vendos që nëna e fëmijës, e cila bëri padinë, si dhe një pjesëtar tjetër i familjes, tëdëmshpërblehen si një dëm jopasurorme shumën e 2,3 milionë lekëve të reja secili. Por, sipas familjes, në këtë dëmshpërblim nuk janë përllogaritur dhe anëtarë të tjerë të familjes dhe kjo shumë, sipas ekspertëve, shkon në shumën e 7 milionë lekëve, në një kohë që këto gjyqe nuk kanë përfunduar. Si rrjedhojë, familjarët dhe mbrojtësit e tyre ligjorë kanë vendosur që kjo çështje t’i kalojë Gjykatës më të Lartë, asaj të Strasburgut, e cila ndërkohë pret përmbylljen përfundimtare që do t’i japin gjykatat shqiptare, për të dhënë më tej një vendim të sajin.
Vlerësimi i ekspertit
Eksperti Ajet Bakiu, i cili ka kryer aktin e ekspertimit, bazuar në Kodin Civil, duke iu referuar llogaritjes së dëmit jopasuror, thekson se “kompensimi i këtij lloji dëmi nuk e kthen personin e humbur, por ai mund të shërbejë për mbulimin dhe rikuperimin më të lehtë dhe efektiv të njerëzve që kanë nevojë gjatë kohës që janë të dëshpëruar, të brengosur, të stresuar, për më pak punë të përditshme dhe te lodhshme, për më shumë kohë për t’u argëtuar, për më shumë kohë pa strese financiare, këshillime dhe asistencë”. Në ekonominë e tregut ky lloj dëmshpërblimi njihet me termin “kosto që reflekton dhimbje dhe vuajtje”. Dhimbja dhe vuajtja shpirtërore, trauma psikike, stresi agravon sëmundje nga të cilat vuajnë persona të afërm, nxjerr në pah sëmundje të cilat qëndrojnë të fshehura, krijojnë sëmundje të reja. “Asgjë nuk e shkatërron e rrënon njeriun më shumë sesa dhimbja”, shënon Ambroise Ferrer (Harrison). Në ekonominë e tregut këto pasoja e të tjera vlerësohen në para, masa e vlerësimit është e ndryshme në vende të ndryshme dhe varet nga shkalla e zhvillimit dhe standardi i jetesës. Duke pasur parasysh se kombi ynë është është tepër human dhe më pak besimtar, nga pikëpamja e dhimbjes dhe e vuajtjes jemi shumë më të prirur, për pasojë dhe kostoja është 10-20 % më e lartë…
Kësisoj, eksperti shqiptar, mjeku Ajet Bakiu, u është referuar të dhënave të INSTAT të 2004-s për të ardhurat mesatare mujore të një personi në vendin tonë, kohë dhe kur vdiq Erigert Ceka, duke iu referuar 9 grupeve të shpenzimeve kryesore dhe duke arritur më pas në shifra konkrete sipas pikëzimit për a: përgjegjësinë për faj të shkaktarit, b: për dhimbjet dhe vuajtjet, c: moshën, dhe d: rrethanat e të lënduarit. Kështu, sipas ekspertit, shuma totale e dëmshpërblimit llogaritet për dy prindërit dhe katër fëmijët e tjerë në vlerën e rreth 7 milionë lekëve të reja.
Mungesat në legjislacionin shqiptar
Në legjislacionin shqiptar nuk ka një dispozitë që të njohë detyrimin e shtetit për të kompensuar viktimat e torturës ose keqtrajtimet e formave të tjera të kryera nga punonjësit e policisë. Në praktikë, e vetmja masë në dispozicion të viktimave të torturës (ose të afërmve të tyre kur viktima ka vdekur) është ngritja e një padie civile për kompensim. Për rastin konkret i bie barra kësaj gjykatë të ndërmarrë një hap të madh në bërjen e një ligji të ri.
Vdekja e 16-vjeçarit Erigert Ceka
16-vjeçari Erigert Ceka, nxënës i shkollës së mesme të Rubikut, gjeti vdekjen me datën 5 korrik 2004 në ambientet e komisariatit të policisë Rrëshen, ku mbahej i ndaluar nën hetim së bashku me të vëllanë dhe tre minorenë të tjerë, sipas një neni represiv të Kodit Penal, i cili u ndryshua pas vdekjes së këtij minoreni. Organizma të të Drejtave të Njeriut dhe kryesisht të Fëmijëve zbuluan se 16-vjeçari, si dhe minorenë të tjerë u mbajtën në kushte skandaloze në mjediset e paraburgimit të këtij komisariati, të shoqëruar edhe me të rritur të tjerë. Shkak i vdekjes së minorenit në fjalë, sipas raporteve hetimore, ishte kundërshtimi i tij për të qëndruar në të njëjtën dhomë me një të rritur me të cilin kishte probleme. Më pas ndodhën goditjet e forta në kokë dhe dërgimi i tij në spitalin e Rrëshenit, ku dhe u mjekua. Por, rikthimi në dhomat e paraburgimit vazhdoi me dhimbje koke, të vjella dhe dobësim të përgjithshëm, që zgjatën gjithë natën; vetëm në orët e para të mëngjesit ai u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dhe gjeti vdekjen dy ditë më pas. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të datës 8 korrik 2004, si shkak i vdekjes u përcaktua trauma kontuzion (shembje e trurit) me terren fraktura në anën e djathtë të kokës, frakturë linerea-temporale me vazhdim të kockës së gurtë, me hematoma, grumbullime të gjakut në pjesën midis kokës dhe masës trunore. Dëmtimet ishin shkaktuar me mjete të forta me sipërfaqe goditëse të fshehtë dhe intensitet relativisht të fortë.