E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin proçedurat për Presidentin, nesër mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvend pritet të mblidhet nesër për të vendosur procedurat për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit. Ky organ i drejtuar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të mblidhet paraditen e së nesërmes, në orën 10:00.
 

Sipas Kushtetutës së miratuar me konsensusin e PD-së dhe PS-së në vitin 2008, kreu i ri i shtetit do të zgjidhet në njërin nga pesë raundet që do të përcaktohen. Në tre raundet e para Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumicë të cilësuar votash e cila nuk mund të arrihet vetëm nga mazhoranca dhe opozita. Por në rast se këto tre raunde të para dështojnë, atëherë Kushtetuta parashikon dy raunde të tjera në të cilat kreu i ri i shtetit do të zgjidhet me 71 vota.
 

Por situata politike për këtë zgjedhje është bërë shumë e komplikuar dhe vështirë se në këto momente mund të parashikohet se në cilin nga raundet do të zgjidhet kreu i ri i shtetit. Ndërkombëtarët janë të qëndrimit se Presidenti i ri duhet të zgjidhet që në raundin e parë, që do të thotë se ai duhet të jetë një figurë konsensuale e cila ka marrë paraprakisht miratimin e pjesës më të madhe të deputetëve në Parlament.
 

Por në realitet ky skenar ka pak gjasa që të ndodhë, nisur dhe nga fakti se kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ka theksuar në mënyrë të qartë se kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga radhët e Partisë Demokratike. Ky qëndrim është kundërshtuar ashpër nga ana e Partisë Socialiste, por dhe nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët janë shprehur qartë se kreu i ri i shtetit duhet të jetë mbi palët politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›