E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e dija se cilët ishin djemtë e mirë dhe cilët të këqijtë

Një masakër misterioze në alpet e Francës ka tronditur mbarë Europën. Një familje britanike, që po bënte kamping, është ekzekutuar në një parkim. Tre persona të vdekur në një makinë BMW, pranë tyre një çiklist- edhe ai i ekzekutuar.

Një vajzë 4 vjeçare ka mbijetuar pasi ka qëndruar për tetë orë poshtë kufomës së prindërve të saj.

Ajo ka treguar për policinë franceze se ishte aq e tmerruar sa nuk arrinte të bënte dallimin se kush ishin djemtë e mirë dhe kush ishin djemtë e këqij.

Policia e ka zbuluar vajzën të ngrirë poshtë këmbëve të mamasë së vdekur tetë orë pasi ata u ekzekutuan.

Motra tetëvjeçare e vajzës është zbuluar e shtrirë në rrugën aty pranë, në gjendje kritike pasi është qëlluar tre herë.

Një prokuror përshkroi tmerrin e vogëlushes.

Kur hetuesit hynë në makinë, zbuluan një vajzë të vogël, që ishte e ngrirë dhe e paplagosur. Ajo ishte fshehur poshtë trupave për më shumë se tetë orë dhe nuk kishte lëvizur gjatë gjithë kësaj kohe. Ajo nuk arrinte të bënte dallimin mes djemve të mirë apo atyre të këqij. Në mënyrë spontane nisi të buzëqeshte dhe të fliste në anglisht kur polici e mori në krah dhe e nxori nga makina. Kishte dëgjuar zhurma, të qara, por nuk mund të tregojë më. Ajo është vetëm 4 vjeç. Është mirë tani dhe po kujdesemi për të, tha Eric Maillaud.

Nuk dihet ende nëse vajza është futur poshtë trupave për tu fshehur, apo trupat kanë rënë mbi të.

Motra e saj është në gjendje të rëndë dhe do jetë nën trajtim të vazhdueshëm.

Një zyrtar i xhandarmërisë franceze tha se tre trupat janë të nënës, babait dhe të gjyshes.

Ekspertët mjekoligjore kanë punuar gjatë gjithë natës. Një autopsi pritet të kryhet të premten mbi trupat e gjetur.

Familja kishte mbërritur në Francë në fund të gushtit. Babai mendohej se ishte rreth të pesëdhjetave.

Ngjarja ndodhi në një vend pranë kufirit me Zvicrën dhe Italinë. E vendosur pranë liqenit Annecy, rajoni Haute- Savoie është si një magnet për pushuesit britanikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›