Shalsi: Krimi nuk mund të luftohet me një personazh skeçesh e komedish si Flamuri
Partia Socialiste ka akuzuar sërish qeverinë si të paaftë për të siguruar rendin dhe sigurinë në vend. Deputeti Eduard Shalsi, gjatë një konference shtypi ka thënë se vdekjet e ndodhura këto muaj, janë të denja për bilance lufte.
Sot rendi dhe sigurai publike në Shqipëri janë cënuar rëndë pasi pasiguria është rritur dhe askush nuk ndihet më i qetë. Çdo ditë vijnë lajme për vrasje aksidente, të cilat janë shtuaar aq shumë saqë përbën një bilanc lufte tha Shalsi.
Ai u shpreh se nga çdo cep i vendit vijnë lajme të kobshme, ku vetëm pak minuta më parë kanë humbur jetën tragjikisht nënë e bijë në Kavajë, dhe nëse do shihen shifrat e viktimave mund të flitet për një bilanc lufte.
Besimi i shqiptarëve është tronditur te forcat e rendit. Shikoni se çfarë ndodh në Ministrinë e Rendit. Degradimi i policisë filloi me përzënien nga puna nga radhët e policisë, duke emëruar militantë partiakë, emërime nepotike dhe klienteliste të papërgatitur për tu përballur me situatën, të përzgjedhur vetëm e vetëm mbi kritere partiake. Kjo është arsyeja që sot forcat e rendit nuk u besojnë titullarëve të tyre. E dëgjuam Ministrin e Brendshëm të raportonte vetëm disa ditë më parë mbi sukseset mbi vazhdën e shefit të tij mbi zbulueshmërinë e krimeve, por që në koncept ky njeri nuk e arrin ta kuptojë se forcat e rendit kanë si synim parandalimin dhe jo zbulimin, u shpreh Shalsi.
Sipas deputetit socialist, emërimi i Flamur Nokës në postin e ministrit të Brendshëm është tallja e fundit dhe shkelja më e paskrupullt që Sali Berisha bën me shqiptarët. Sipas Shalsit, Flamuri është i denjë vetëm si personazh skeçesh apo komedish
Forcat e rendit nuk e meritojnë të kenë në krye një personazh i cili mund të jetë i denjë për ndonjë skeç humoristik apo për ndonjë libër komedie, por kurrsesi për të drejtuar Ministrinë e Brendshme- shtoi ai.
Shalsi deklaroi se betja e rendit do të fitohet vetëm atëherë kur Berisha do të largohet nga pushteti dhe se ai dhe qeveria e tij do të duhet të japin llogari për gjithçka.