Berisha zgjidh qesen për SHISH-n e Visho Ajazit. Bahri Shaqiri ankohej për fondet
Kryeministri Sali Berisha duket se i ka lënë pas kontradiktat me SHISH-in pas emërimit në krye të këtij institucioni të të besuarit të tij, Visho Ajazi.
Kështu Kryeministri ka vendosur të ndryshojë trajtimin financiar për spiunët që do të kryejnë veprimtarinë e tyre jashtë zonave të banimit. Sipas, gazetës Shekulli fondi që i akordohet shërbimit sekret për këtë vit është 13 miliardë të vjetra.
Në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave theksohet: Kur punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit për nevoja të punës dhe interesa të shërbimit caktohet jashtë vendbanimit të tij, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi 8 mijë lekë nga 36 deri në 60 kilometra, 10 mijë lekë nga 61 deri në 100 kilometra, 13 mijë nga 101 deri në 150 kilometra, 15 mijë lekë nga 151 deri në 200 kilometra dhe 20 mijë lekë në rast se distanca i kalon 200 kilometra.
Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të territorit të punonjësit të SHISH-it, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të qendrës së punës ku punonjësi është transferuar.
Kreu i mëparshëm i SHISH, Bahri Shaqiri ka pasur vazhdimisht kontestime për buxhetin që i është akorduar, duke u shprehur se ishte i pamjaftueshëm për të mbushur gropat që janë hapur nga vitet e kaluara dhe jo më për të vazhduar punën e vitit 2012, por kjo nuk është marrë parasysh.
Por me ardhjen në krye të institucioneve të njerëzve të tij Berisha e zgjidh qesen, sepse të njëjtën gjë ka bërë dhe me Presidentin Bujar Nishani, të cilit jo vetëm i rregulloi vilën, por i rriti dhe pagën.