FMN: Ne po ikim, përmirësoni marrëdhëniet me biznesin
Fondi Monetar Ndërkombëtar këshilloi edhe një herë qeverinë të kryejë reforma të thella
"Shqipëria mund të vijojë të rritet ekonomikisht, por për këtë ka nevojë të zgjidhë problemet strukturore që ka". Ky ishte lajtmotivi i deklaratës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në një konferencë të posaçme kushtuar sfidave të vendit si një ekonomi në zhvillim. "Vendi duhet të zgjidhë problemin e energjisë, pronave dhe të përmirësojë klimën e biznesit", - deklaroi shefi i misionit Gerwin Bell përpara kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij.
Edhe më herët, FMN ka deklaruar se vendi ka nevojë për reforma që dalin jashtë fushës së zakonshme të analizës ekonomike (rrjedhimisht jashtë funksioneve të FMN-së), ku më e rëndësishmja është garantimi i pronës dhe lehtësia e siguria në shitblerjet e pronave. Një analizë e Bankës Botërore, dy vite më parë, vërejti se nga pronat e regjistruara në hipoteka, rreth 75% kanë cene ligjore, pra nuk mund të shiten apo të blihen lirshëm ose që shitblerja mbart një rrezik të konsiderueshëm për investitorin. Sikur të mos mjaftonte kjo, vitin e kaluar, qeveria miratoi një instrument ligjor fiskal, që vendosi "çmime reference për tokën e shitur" në të gjithë territorin e vendit. Ky çmim reference vërehet se ka bërë të patregtueshme një sasi të konsiderueshme toke në të gjithë Shqipërinë, për shkak se ka vendosur tatime afrofe, që në një numër të vogël rastesh janë më të ulëta se 10%, ndërsa në shumicën dërrmuese të rasteve, marrin gjysmën e vlerës së tokës. Në përgjithësi, klima e biznesit dhe rreziku i të bërit biznes në Shqipëri është shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit nga përdorimi i metodave afrofe në përcaktimin e taksave. Përdorimi i çmimeve të referencës doganore në vitet '98-'03, solli një monopolizim të shpejtë të të drejtës së importimit të mallrave, si dhe zvogëlimin e numrit të kompanive importuese në shumë segmente të tregut.
Ndër sfidat e tjera të vendit, konsiderohet cilësia e ulët e oponencës parlamentare ndaj vendimeve të qeverisë. Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit, nismat ligjore të qeverisë kanë kaluar në sitën e ekspertëve të FMN-së dhe institucioneve të tjera, ndërsa në të ardhmen, pritet që Komisioni parlamentar i Ekonomisë të jetë vendi ku qeveria duhet të përballë dëshirën e vet për shpenzime të pakufizuara, me logjikën e mundësive ekonomike të vendit. Duke qenë se nuk pritet ndonjë përmirësim i cilësisë së deputetëve, vendi mund të përballet me pasojat e populizmit qeveritar.
Gati marrëveshja trepalëshe e gazit
Ministri i Industrisë i Azerbajxhanit, Natig Aliyev, deklaroi së bashku me kreun e kompanisë zvicerane "EGL" se vendi i tij, Turqia dhe Italia, pritet të nënshkruajë një marrëveshje për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik që pritet të kalojë përmes Shqipërisë, për të arritur në Itali. Projektet për këtë gazsjellës kanë nisur në vitin 2003, ndërsa vendimi përfundimtar për ndërtimin e tij ose jo, do të merret në gjysmën e dytë të këtij viti. Nëse realizohet, gazsjellësi do të transportojë 10 miliardë metër/kub gaz në vit dhe do të kushtojë 1.5 miliardë euro. Ai do të jetë 520 kilometra i gjatë nga Greqia qendrore, për në Pulia. Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e këtij gazsjellësi, si dhe vendin e impiantit të pompimit në Gjirin e Semanit, pranë Fierit. Gjatë muajve të fundit, ka një numër shumë të madh aktivitetesh në lidhje me këtë gazsjellës, përfshirë nënshkrimin e kontratës së blerjes së gazit në Iran, si dhe zmadhimin e kompanisë sipërmarrëse. Bashkimi Europian pritet të krijojë një zyrë koordinimi për politikat e gazit, në përpjekje për të ruajtur unitetin, pasi disa vende anëtare duket se po sakrifikojnë politikat e përbashkëta për të siguruar një pozicion më të favorshëm për veten përballë Rusisë, vendit më të rëndësishëm eksportues të gazit në botë.