Paaftësia, qeveria miraton të njëjtin ligj dy herë
Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe ajo e Transportit dhe Telekomunikacionit, paraqesin të njëjtin draft
Kompanitë e telefonisë fikse dhe asaj lëvizëse përcaktojnë afatet për pagimin e faturave
TIRANË- Pavarësisht angazhimit të kryeministrit Sali Berisha për reformimin dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, administrata jonë shtetërore vazhdon të hartojë ligje shumë të dobëta jo vetëm në përmbajtje, por dhe nga ana formale. Qeveria shqiptare prej 4 muajsh ka miratuar dhe ka paraqitur në Kuvend projektligjin "Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë", i propozuar nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve dhe i firmosur nga titullari i këtij institucioni, Sokol Olldashi, një projektligj tepër i rëndësishëm, vlerësuar kjo për nga çështja që trajton. Por, ndërsa drafti në fjalë prej javësh është duke u diskutuar në Komisionin e parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, si komisioni përgjegjës, nga ana tjetër, dje, në Komisionin e Medias dhe Informimit Publik është paraqitur për dhënie mendimi i njëjti projektligj, por i propozuar kësaj radhe jo prej Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit, por prej asaj të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Projektligji i paraqitur në Komisionin e Medias, ndryshe nga i pari, mbanë firmën e ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, pavarësisht se ka të njëjtin numër vendimi me të, pra 142, dhe të njëjtën datë miratimi në Këshillin e Ministrave. Të dy projektligjet në fjalë mbajnë gjithashtu të njëjtin numër dhe datë protokollimi në Kuvend, si dhe të njëjtin shënim të kryetarit të Drejtorisë së Seancave Plenare. Pavarësisht ndryshimeve në faqen e parë të draftit, nisma ligjore, në brendësi të saj është e njëjtë në 140 nenet që përmban dhe në relacionin shoqërues. Ndërkohë projektligji në fjalë, pas një maratone të gjatë shtyrjesh, është miratuar dje nen për nen, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Gjatë diskutimit në këtë komision, projektligji në fjalë ka pësuar një sërë ndryshimesh të rëndësishme, ku më e rëndësishmja dhe që ka një interes të veçantë për abonentët, ka të bëjë me nenin 109, që bën fjalë për ndërprerjen e shërbimit për pajtimtarin. Në këtë nen, për herë të parë, kompanitë e telefonisë fikse dhe asaj lëvizëse detyrohen të përcaktojnë si afat maksimal për pagimin e faturave të shërbimit 20 ditshin e muajt pasardhës. Ndërkohë, në rast se pas këtij afati kohor abonenti nuk bënë pagesën e faturës për shkaqe të ndryshme, atëherë sipërmarrësi, pra kompanitë e telefonisë janë të detyruara që të lajmërojnë pajtuesin me shkrim dhe t'i lërë atij 10 ditë të tjera kohë për të bërë animimin, apo të plotësojë detyrimet kontraktuale. Vetëm pas këtyre etapave, sipërmarrësit mund të ndërpresin sinjalin e telefonit, internetit apo çdo lloj shërbimi tjetër që ofron. Një nen tjetër që gjatë diskutimit në komision solli dhe diskutime shumë të mëdha, ishte dhe neni 59, që bën fjalë për detyrimin e operatorëve të telefonisë për orientimin e tarifave të impulseve drejt kostos. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese pritet të mblidhet ditën e hënë paradite për ta kaluar dhe një herë projektligjin në tërësi, për ta kaluar më pas në seancë plenare. Ndërkohë që Komisioni i Medias, për shkak se ligji në fjalë mban emrin dhe firmën e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, nuk ka pranuar dje që ta marrë në diskutim.